Ish-eksperti i OBSH-së në Kosovë, Merkur Beqiri, është shprehur kundër mbajtjes së protestave në rrugë, për shkak të rrezikut të infektimit me koronavirus.
Beqiri në një deklaratë për Express ka thënë se grumbullime të tilla të qytetarëve, mund të jenë të rrezikshme dhe kështu mund të kemi numër shumë të madh të të infektuarve me koronavirus.
“Mesazhi im është se nëse sjellja e popullatës prej masave ekzistuese kalon në regjimin e protestave nëpër rrugë, atëherë brenda javëve nuk do t’i matim më rastet me qindra, por me mijëra dhe dhjetëra mijëra”, ka deklaruar.
Ai tha se çdo përçarje e shoqërisë, si politike ashtu edhe shoqërore, shfrytëzohet nga virusi për të hyrë në mesin tonë.
“Mjafton një person ta nis një pandemi, pastaj nevojiten të gjithë të tjerët për ta ndalë atë. Sa i përket natyrës së virusit, një person infekton 3 deri në 13 persona, nëse ia hapim rrugën pastaj infektimi vazhdon tutje tek të tjerët”, ka thënë Beqiri.
Ndërkohë, të mërkurën është bërë kërkesë që Prokuroria e Shtetit t’i hetojë nismat për protesta që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve në kohën e pandemisë.