Oda e Mjekëve të Kosovës po e konsideron si të kriminalizuar procesin e specializimeve të nisur nga Ministria e Shëndetësisë, për shkak të parregullsive dhe në kundërshtim me ligjet. Ministri Zemaj ka deklaruar sot se MSH ka respektuar të gjitha dispozitat ligjore
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka mbajtur sot një konferencë për media bashkë me kryetarin e Bordit për specializime Labinot Shahini, ku kanë njoftuar se është shpallur konkursi për 1034 vende të lira, nga të cilat mbi 600 janë me vetfinancim, shkruan Gazeta Shneta.
Ky konkurs vjen pas katër vjetësh, por dikush po e konsideron si të jashtëligjshëm e madje të kriminalizuar. Gazeta Shneta ka siguruar një dokument ku Oda e Mjekëve të Kosovës ia ka tërhequr vërejtjen ministrit Zemaj se procesi i specializimeve është në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi, Ligjin për Odat dhe Udhëzimin Administrativ 05/2017.
Në këtë dokument OMK i ka kërkuar ministrit Zemaj që ta vë procesin në binarë ligjorë dhe ta shkarkojë Bordin, ndryshe do të ndërmarrin veprime ligjore kundër MSH-së.
Zemaj është pyetur sot në konferencë nga Gazeta Shneta për këto pretendime të OMK-së, por ai ka thënë se MSH ka respektuar të gjitha dispozitat ligjore për këtë proces, i cili sipas tij është i vonuar dhe do të pengojë ikjen e mjekëve të rinj nga Kosova.
Në anën tjetër kryetari i OMK-së Dr. Pleurat Sejdiu ka thënë se nuk kanë asnjë informatë zyrtare për konkursin për specializime. Ai ka thënë se procesi është kriminalizuar dhe është i jashtëligjshëm për faktin se është shpallur konkurs edhe për institucione private gjë që sipas tij është në kundërshtim me ligjin.
“Konkursi për specializime është hapur edhe për institucionet private. Kjo është e jashtëligjshme pasi këto institucione nuk janë të akredituara për specializime. Dikush nga Bordi është duke kriminalizuar tërë procesin”, ka deklaruar Sejdiu.
“Hapja e konkursit në bazë të UA 05-2017 i cili është i tëri në kundërshtim me ligjet në fuqi, 2 nga tre kushtet për hapje të konkursit nuk janë plotësuar: Strategjia sektoriale e burimeve njerëzore, OMK ka qenë e përfaqësuar në Komision i cili ka dorëzuar draftin në fundvitin e kaluar dhe nuk është nënshkruar kurrë; dhe Aprovimi i planprogrameve specialistike, të cilat në bazë të ligjit aprovohen nga odat dhe në bazë të UA nga Bordi, dhe as njëra as tjetra nuk kanë bërë një aprovim të tyre”, ka deklaruar Sejdiu.
Sipas Sejdiut në këtë situatë Bordi ka bërë shkelje duke shpallë konkursin dhe për këtë e kishin njoftuar ministrin Zemaj paraprakisht.
“Në tre raste ne me shkrim e kemi njoftu ministrin direkt dhe përmes kabinetit të tij për shkeljet ligjore në këtë proces, duke u bazuar në faktin se përmes Ligjit të Shëndetësisë dhe ligjit të odave të profesionistëve shëndëetësorë, odat janë organet të cilat vlerësojnë ligjshmërinë e procesit të specializimeve dhe oda e mjekëve, farmacistëve dhe e stomatologëve me shkrim kanë konstatuar shkeljet ligjore”.
“Ne kemi filluar hapat ligjore në kontestim të procesit i cili është i bazuar në një akt nën-ligjor në tërësi në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Fatkeqësia është që kandidatët që nga fillimi i hyjnë një procesi të kontestuar ligjor i cili në vete mund të bart pasoja. Dhe faji kryekëput është i Bordit dhe sidomos individëve që kanë qenë pjesë e Bordit të kaluar i cili ka qenë me plot shkelje ligjore deri në ato që mund të kenë ngjyra të veprave penale”, ka deklaruar Sejdiu.
Gazeta ka raportuar edhe më herët për këtë problem pasi odat e profesionistëve shëndetësorë janë ankuar se nuk janë përfillur rekomandimet e tyre për përbërjen e Komiteteve specialistike, sipas udhëzimit administrativ.
Ministria e Shëndetësisë pati deklaruar se në komitete ka nga një përfaqësues të odave, dhe nuk janë shkelur procedurat ligjore. /Gazeta Shneta/