Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që disa javë është duke raportuar rezultatet e testeve antigjen, por Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve rekomandon që këto rezultate të përdoren sipas disa kritereve dhe të rikonfirmohen nëse është e nevojshme.
CDC amerikane më 16 dhjetor të vitit të kaluar ka publikuar një udhëzues për testet antigjen për Sars-Cov-2, pas aprovimit të përdorimit të tyre nga Agjencia për Barna dhe Ushqime, shkruan Gazeta Shneta.
Testet e antigjenit përdoren zakonisht në diagnostikimin e patogjenëve në sistemin e frymëmarrjes, duke përfshirë edhe viruset e gripit. CDC thotë se vlerësimi i rezultateve të një testi antigjen duhet të marr parasyshë karakteristikat e performancës si ndjeshmërinë dhe specifikën, kohëzgjatjen e simptomave tek pacienti, etj.
Sipas CDC-së, në përgjithësi klinicistët mund të mbështeten tek një rezultat pozitiv antigjen për një pacient simptomatik, sepse specifikimi i testeve aktuale të antigjenit të autorizuar nga FDA është mjaft i lartë.
Por nëse rezultati është negativ, atëherë duhet të konsiderohet si “rezultat i supozuar”. “Në shumicën e rasteve, udhëzimet e prodhuesve të testeve të antigjenit rekomandojnë që rezultatet negative duhet të konsiderohen si ‘të supozuara’”. CDC rekomandon tutje se është e përshtatshme që rezultati të ri-konfirmohet me një test tjetër.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që disa javë është duke raportuar rezultatet e testeve antigjen, së bashku me ato të metodës PCR. Por IKSHPK nuk ka treguar se sa është numri i testeve sipas këtyre metodave.
Gazeta Shneta ka kërkuar sqarime nga drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani, për mënyrën e raportimit të rezultateve të këtyre testeve, si dhe nëse është kërkuar nga institucionet që testet të konfirmohen me metoda tjera, por ai nuk ka kthyer përgjigje.
CDC gjithsesi rekomandon që rezultatet e testeve të raportohen në institucionet përkatëse, por në fund të udhëzuesit thotë që rezultatet negative në varësi të laboratorit apo vendit të testimit, mund të kërkohet që rastet të raportohen si “negativ të supozuar”. /Gazeta Shneta/