Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj mjekut Petrit Xhaka dhe infermierit Liridon Mehmeti, të cilët nga viti 2014 po akuzoheshin për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Xhaka në cilësinë e mjekut, ndërsa Mehmeti në cilësinë e infermierit, akuzoheshin se kishin marrë 100 euro ryshfet, nga i dëmtuari Gazmend Halili, babai i pacientes S.H, për përcjelljen e saj me autoambulancë për shërim në Tiranë.
Shpallja e aktgjykimit u bë nga kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi -Jashanica, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën i ngarkon prokuroria”, tha ajo.
Gjykatësja Krasniqi – Jashanica njoftoi palët se pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Ndërkaq i dëmtuari është udhëzuar në kontest juridiko – civil.
Sa i përket bankënotave, gjykatësja tha se dy bankënota të sekuestruara do të shkojnë në fondin për viktimat e krimit.
Shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej nga ora 8:30, mirëpo e njëjta u bë në orën 9:30.
Në seancën e 2 dhjetorit 2021 ishte dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, ku prokuroria kishte kërkuar dënimin e dy të akuzuarve.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë në shtator të vitit 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Petrit Xhakës dhe Liridon Mehmetit, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit”.
Sipas prokurorisë, Xhaka në cilësinë e mjekut, ndërsa Mehmeti në cilësinë e infermierit, kishin marrë 100 euro ryshfet, nga i dëmtuari Gazmend Halili, babai i pacientes S.H, për përcjelljen e saj me autoambulancë për shërim në Tiranë.
Ky rast ishte lajmëruar në polici nga vet i dëmtuari Halili, ndërsa dy të akuzuarve policia u kishte konfiskuar dy kartëmonedha në vlerë prej 50 eurosh. /BetimipërDrejtësi




