Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë ka zbarkuar sot në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK.
Ardhja e tyre ka ndodhur pas thirrjes nga drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi, për shkak të raportimit të Gazetës Shneta lidhur me gjetjen e një cope metali brenda një injeksioni ceftriaxon.
“E kam informuar inspektoratin dje pasdite menjëherë pasi mora informatën. Kanë qenë sot dhe jemi duke pritur raportin e tyre”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërkaq Gazeta Shneta ka marr vesh nga burime brenda QKUK-së se inspektorati ka marr vendim që të ndalojë përkohësisht përdorimin e antibiotikut ceftriaxone në kirurgji.
Ky vendim ka ardhur si masë e parë për të parandaluar rrezikimin e shëndetit të pacientëve, pasi gjatë ditës së djeshme u has në një copë metali brenda një injeksioni ceftriaxone.
Gazeta ka biseduar edhe me kryeinspektoren Remzie Thaqi e cila ka thënë se nuk mund të konfirmojë asgjë deri sa ta ketë gati raportin nga inspektorët e rastit.
“Ne iu kemi përgjigjur thirrjes menjëherë sot në ora 8:00 të mëngjesit. Inspektorët ende janë në terren dhe pasi ta marr raportin e tyre, mund t’ju konfirmoj masat dhe vendimet”, ka deklaruar Thaqi.
Për këtë rast ende nuk ka pasur ndonjë reagim nga Ministria e Shëndetësisë dhe ministri Rifat Latifi. /Gazeta Shneta/




