Sfidat e pandemisë e vunë përballë vështirësive edhe Klinikën e Pulmologjisë e cila tash e dy vite ka një numër të madh pacientësh.
E, hapësira e kësaj klinike nuk është e mjaftueshme për të hospitalizuarit, madje stafi mjekësor shpesh po përballen me probleme se ku ti shtrijnë pacientët.
Një shqetësim të tillë e tregon edhe pulmologu dr. Shpetim Thaçi, në një intervistë për Gazetën Shneta.
“Sot vlen të theksohet që ShSKUK, përkatësishtë Republika e Kosovës, nuk ka një klinikë të mirëfilltë të pulmologjisë e cila duhet të jetë dhe duhet të ndërtohet në mënyrë që t’i dalim në ndihmë pacientëve dhe numrit të madhë të sëmundjëve që kanë ata”, tha Thaçi.
Kjo pasi që në këtë klinikë ka një numër të madh të vazhdueshëm të pacientëve që kërkojnë trajtim për sëmundje të ndryshme pulmonare.
Mes të tjerash edhe pulmologu Thaqi thekson disa nga sëmundjet me të shpeshta të cilat hasen në këtë klinikë, e për të cilat ai thotë që disa janë në rritje.
“Në Klinikën e Pulmologjisë trajtohen të gjithë pacientët me sëmundje kronike obstruktive të mushkërive, me sëmundje infektive siç është tubërkulozi, të cilin e kemi në trend të rritjes në Kosovë dhe të gjithë pacientët që kanë sëmundje malinje të cilat po ashtu janë në trend të rritjes. E, kjo vlen të theksohet që krijon nevojën e krijimit të një klinike të re të pulmologjisë, për shkak që sot siç dihet, shkaktari numër një i vdekjeve në botë janë pikërishtë problemet pulmonare”, u shpreh ai për Gazeta Shneta.
Në këtë klinikë momentalisht janë të hospitalizuar 65 pacientë prej të cilëve 39 janë post-COVID, dhe të gjithë janë me gjendje stabile shëndetësore.
“Afër 20% e këtyre pacientëve janë me oksigjeno-terapi ndërsa aryeja kryesore e shtrimit të tyre është për shkak të insuficiencës kronike respiratore”, tha Thaçi.
Tutje ai tregon që varianti Omicron nuk ka ndikuar shumë në organet respiratore dhe sipas tij kjo është një arsye pse numri i hospitalizimeve është më i vogël në raport me variantët tjera.
Gjithsesi, sa u përket të hospitalizuarve sipas doktorit Thaçi, tetë prej tyre janë të vaksinuar me një dozë dhe 38 me të dyja dozat, kurse pjesa tjetër është e pavaksinuar. E një dallim shëndetësore mes pacientëve të vaksinuar dhe të pavaksinuar e thekson edhe pulmologu.
“Pacientët të cilët janë të vaksinuar dhe infektohen me variantin Omicron mundësia që të preket mushkëria është shumë më e vogël në raport me ata pacientë të cilët janë të pavaksinuar”, tha ai.
Ndër të tjera Thaqi thekson se pacientët të cilët e kanë kaluar COVID-19 dhe kanë vlera më të ulëta të oksigjenit nuk preferohet që ata të qëndrojnë në hapësira ku lartësia mbidetare është e madhe. Kjo pasi që prania e oksigjenit atje është më e rrallë dhe mund të ndikoj në përkeqësimin e gjendjës së pacientit./Gazeta Shneta/