Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë në një vlerë prej 9 mijë e 870 euro për furnizim me tepiha.
Kontrata është nënshkruar dy ditë më parë me Operatorin Ekonomik “IBM” Sh.P.K me seli në Mitrovicë.
Vlera e parashikuar ishte 11 mijë euro ndërsa kriter për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.
Sipas dosjes së tenderit Operatori Ekonomik është i obliguar që tepihët aktual të vendosur në koridore, sallë dhe zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm t’i largoj, të pastrohet hapësira dhe të vendosen tepihët e ri.
“Në kuadër të vendosjes së tepihave duhet të përfshihet edhe ngjitësi adekuat si dhe qepjet e nevojshme. Tek karakteristikat janë përshkruar disa specifikime si trashësia, lartësia e fijeve pasha totale sipas ISO Standardeve dhe CE për kualitet dhe cilësi të lartë”, thuhet në dosjen e tenderit.
Ngjyra e tepihëve do të përcaktohet nga Autoriteti Kontraktues – Ministria e Shëndetësisë.





