Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, dje ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, ka vlerësuar se askush nuk e ka pyetur Latifin për shëndetësi, sipas tij, shëndetësia në Kosovë është duke udhëhequr nga grupet e interesit.
“Që nga ardhja e tij në krye të shëndetësisë, z. Latifi ka qenë vetëm emër, ngase askush asgjë nuk e ka pyetur në MSH. Grupet e interesit, klienteliste, nepotiste, politike e partiake të LVV-së kanë udhëhequr dhe po udhëheqin me shëndetësinë e Kosovës”, ka reaguar ai.
Sipas, anëtarit të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenje Sociale, që nga formimi i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi Latifi nuk ka qenë as formalisht ministër i shëndetësisë.
Reagimi i plotë:
Rifat Latifi sot e kuptoj se askush nuk e pyetë asgjë për shëndetësi!
Që nga ardhja e tij në krye të shëndetësisë, z. Latifi ka qenë vetëm emër, ngase askush asgjë nuk e ka pyetur në MSH. Grupet e interesit, klienteliste, nepotiste, politike e partiake të LVV-së kanë udhëhequr dhe po udhëheqin me shëndetësinë e Kosovës.
Që kur Albin Kurti e ka emëruar vehten kryetar të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, z. Latifi as formalisht nuk ka qenë më ministër i shëndetësisë, dhe këtë duket se përfundimisht sot e kuptoj ai.
Kjo u shpërfaq sot, kur në takim me Kryetaren e FSSHK, znj.Tevide Imeri, z. Latifi është zotuar për rishqyrtimin e urdhëresave të ud. drejtoreshës së SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçit përmes të cilave diskriminohen infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor në SHSKUK.
Duket se kjo ujdi me Federaten Sindikale të Shëndetësisë nuk i ka pëlqyer Albin Kurtit duke e kundërshtuar Rifat Latifin, i cili ka dhënë dorëheqje.
Tani kush duhet të jap llogari për:
Rritjen e listave të pritjes për pacientë për procedurat diagnostikuese dhe operacione?
A ka llogaridhënje për gjetjet e auditorit për ShSKUK për vitin 2021, ku janë evidentuar keqpërdorime të shumta, shembull, në 61 raste në vlerë 7.8 milion € mungonte raporti i pranimit të mallit.
Në 17 raste në vlerë 1 milion e 759 mijë €, urdhër blerjet ishin proceduar pas pranimit të mallit dhe faturës!
Abuzime e keqpërdorime në furnizime mjekësore, furnizim me ushqim dhe keqpërdorime tjera, e deri në procedurat e prokurimit për transport të kufomave për “Shërbime funerali COVID -19”.




