Gjashtë nxënës shkolle në kryeqytetin e Ugandës kanë rezultuar pozitivë me Ebola, ka njoftuar të mërkurën ministria e shëndetësisë, duke shënuar një përshkallëzim serioz të shpërthimit të deklaruar më shumë se një muaj më parë.
Fëmijët, të cilët ndjekin tre shkolla të ndryshme në Kampala, janë në mesin e të paktën 15 personave në qytet të konfirmuar se janë infektuar me Ebola, sipas një deklarate nga ministrja e Shëndetësisë, Jane Ruth Aceng, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Mes tjerash, fëmijët janë anëtarë të një familjeje të ekspozuar ndaj sëmundjes nga një burrë që udhëtoi nga një zonë e goditur nga Ebola, kërkoi trajtim në Kampala dhe vdiq atje, thuhet në deklaratë.
“Ai është përgjegjës për infektimin e familjes shtatë anëtarëshe, duke përfshirë fqinjët dhe shumë të tjerë”, thuhet në deklaratë, duke folur për pacientin udhëtues me Ebola.
Autoritetet po “ndjekin” 170 kontakte nga shkollat ku frekuentojnë gjashtë fëmijët.
Ebola përhapet nga kontakti me lëngjet trupore të një personi të infektuar ose materiale të kontaminuara.
Simptomat përfshijnë ethe, të vjella, diarre, dhimbje muskulore dhe, nganjëherë, gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme.
Nuk ka asnjë vaksinë të provuar për llojin sudanez të Ebolës që qarkullon në këtë vend të Afrikës Lindore me 45 milionë banorë.
Uganda ka pasur shpërthime të shumta të Ebolës, duke përfshirë një në vitin 2000, ku virusi Ebola mori jetën e më shumë se 200 njerëz.
Përhapja e Ebolës, në periudhat 2014-2016 në Afrikën Perëndimore, mori jetën e më shumë se 11,000 njerëz, numri më i madh i vdekjeve nga sëmundja.
Ebola u zbulua në vitin 1976 në dy shpërthime të njëkohshme në Sudanin e Jugut dhe Kongo, ku ndodhi në një fshat pranë lumit Ebola, pas së cilës sëmundja ka marrë emrin. /Gazeta Shneta/




