Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi ka mbajtur mbrëmë takimin e katërt me radhë. Në këtë komisioni i cili udhëhiqet nga kryeministri, Albin Kurti, janë evidentuar rezultatet e para të punës.
Kurti gjatë fjalimit të tij ka theksuar dy udhëzimet administrative të miratuara që nga themelimi i këtij komisioni.
Sipas tij, udhëzimi i parë – përmes licencimit të profesionistëve shëndetësor të mërgatës dhe të huaj synohet të lehtësohet ardhja e tyre në Kosovë për të ofruar shërbime shëndetësore.
“Udhëzimi i dytë, për Thjeshtimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale, që nuk kanë paralele të autorizuara në Republikën e Kosovës, do të sigurojë që barnat pa garanci të cilësisë nuk do të mund të futen në konkurrencë për tenderë të shpallur nga institucione publike shëndetësore”, thuhet në njoftim.
Lidhur me udhëzimin e parë, u.d. ministrja e Ministrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, ka folur për hapat e ndërmarrë për të siguruar ardhjen sa më të shpejtë të profesionistëve shëndetësorë nga jashtë vendit.
Ajo ka emëruar Bordin për licencimin e profesionistëve të huaj, i cili ka hartuar dhe miratuar një rregullore të re të punës.
UD Ministrja në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar, gjithashtu ka nisur përpilimin e nevojave specifike të institucioneve publike.
“Falë këtyre veprimeve të shpejta, pritet që gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm të vijnë profesionistët e parë nga mërgata dhe ata të huaj në kuadër të kësaj iniciative”, thuhet gjithashtu në njoftim.
Në anën tjetër, zëvendësministri i shëndetësisë, Arsim Berisha theksoi se gjatë ditëve në vazhdim do të shtohen inspektimet në institucionet shëndetësore në vend.
Kujtojmë se në Kosovë janë vetëm shtatë inspektor shëndetësor.
Sipas kryeministrit hapat e ndërmarrur deri më tani në përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend përbëjnë vetëm një pjesë “drejtë reformave të thella në sektorin e shëndetësisë”.
Qeveria ende nuk e ka emruar ministrin e ri në Ministri të Shëndetësisë që nga dorëheqja e ministrit, Rifat Latifi. /Gazeta Shneta/




