Ministria e Shëndetësisë ka dal me një thirrje për mjekët shqiptarë dhe mjekë të huaj për të punuar në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë iu ka bërë thirrje mjekëve shqiptarë nga diaspora dhe rajoni, si dhe profesionistëve të huaj që të vijnë të angazhohen me punë në spitalet publike të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
“Bashkëpunimi profesional në institucionet tona ka ekzistuar dhe aktualisht është duke marrë ritëm të ri. Por, në mënyrë që ky bashkëpunim të thellohet e dinamizohet ju ftojmë të shprehni interesimin tuaj për të ndihmuar vendin dhe sektorin krah për krah me kolegët që me mundin e dijen e tyre sigurojnë shërbimet në të gjitha nivelet”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
MSH ka kërkuar nga mjekët që kanë përvojë të konsiderueshme në lëmitë e tyre, si dhe ata me përvojë akademike, që të kontaktojnë ministrinë në këtë adresë: [email protected]
“Për angazhimin e tyre do të bëhen marrëveshje me institucionet shëndetësore ose Ministrinë e Shëndetësisë. Angazhimi i profesionistëve shëndetësor nga mërgata dhe jashtë vendit do të respektoj kushtet e Udhëzimit Administrativ (QRK) nr. 10/2022 për licencimin e profesionistëve shëndetësor të huaj dhe aktet e tjera ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim. /Gazeta Shneta/




