Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), kanë thënë se imunizimi kundër fruthit ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, duke rezultuar në një rekord të lartë prej afro 40 milionë fëmijëve që kanë humbur një dozë vaksine vitin e kaluar.
Në një raport të lëshuar të mërkurën, OBSH dhe CDC, thanë se miliona fëmijë tani janë të ndjeshëm ndaj fruthit, ndër sëmundjet më ngjitëse në botë, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Në vitin 2021, zyrtarët raportuan se kishte rreth 9 milionë infeksione të fruthit dhe 128,000 vdekje në mbarë botën.
OBSH dhe CDC, mes tjerash kanë thënë se rënia e vazhdueshme e vaksinimit, mbikëqyrja e dobët e sëmundjeve dhe planet e vonuara të reagimit për shkak të COVID-19, përveç shpërthimeve të vazhdueshme në më shumë se 20 vende, do të thotë se “fruthi është një kërcënim i menjëhershëm në çdo rajon të botës”.
Shkencëtarët vlerësojnë se të paktën 95% e një popullsie duhet të imunizohet për t’u mbrojtur nga epidemitë.
“Numri rekord i fëmijëve më pak të imunizuar dhe të ndjeshëm ndaj fruthit tregon dëmin e thellë që kanë pësuar sistemet e imunizimit gjatë pandemisë COVID-19,” tha në një deklaratë drejtoresha e CDC, Dr. Rochelle Walensky.
Fruthi përhapet kryesisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë ose në ajër dhe shkakton simptoma duke përfshirë ethe, dhimbje muskulore dhe skuqje të lëkurës në fytyrë dhe në pjesën e sipërme të qafës.
Shumica e vdekjeve të lidhura me fruthin shkaktohen nga komplikime, duke përfshirë ënjtjen e trurit dhe dehidratimin.
OBSH thotë se komplikimet janë më serioze te fëmijët nën pesë vjeç dhe të rriturit mbi 30 vjeç. /Gazeta Shneta/