Ud.drejtoresha e SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi ua ka ngritur koeficientet nga 7.2 në 8.4 dhjetë zyrtarëve të administratës së SHSKUK-së dhe QKUK-së. Kaq është koeficienti i mjekëve specialistë. Vendimi është marr pas ankesës në Inspektoratin e Punës
Dhjetë zyrtarë të administratës së QKUK-së dhe SHSKUK-së nga ky muaj do të paguhen me pagë të njëjtë sikurse mjekët specialistë, rreth 650 Euro, pasi koeficientet e tyre nga 7.2 janë ngritur në 8.4 nga ud.drejtoresha e SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi, shkruan Gazeta Shneta.
Këta dhjetë zyrtarë në qershor të këtij viti janë ankuar në Inspektoratin e Punës për diskriminim në raport me pesë kolegë të tyre të cilët paguheshin me këtë koeficient. Palët ankuese në këtë rast kanë pretenduar se jo vetëm që paguhen më pak, por edhe punojnë më shumë sesa kolegët me koeficient më të lartë.
Gazeta ka siguruar informacione se Inspektorati i Punës ka vendosur në favor të tyre dhe e ka detyruar SHSKUK-në që të barazojë koeficientet në rastin e 10 zyrtarëve të cilët ishin ankuar.
Inspektorati ka marr për bazë Nenin 55 të Ligjit të Punës për kompensim të njëjtë për punë të njëjtë dhe ka konstatuar pretendimet e palëve ankuese.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga drejtoria e SHSKUK-së lidhur me këtë çështje, por deri më tani nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
Kjo ngritje e koeficienteve në SHSKUK dhe QKUK bëhet edhe pse ky institucion nuk ka fare rregullore për sistematizimin e vendeve të punës, si dhe organogram të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Me koeficient 8.4 aktualisht paguhen mjekët specialistë në nivel të Kosovës, që në vlerë monetare i bie rreth 650 Euro. Qeveria e Kosovës e ka miratuar tashmë Projektligjin e Pagave dhe i njëjti pritet të shqyrtohet në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilit pritet të rregullohen pagat në sektorin publik. /Gazeta Shneta/




