Nga rast elektiv një ditë më parë, në rast “ME PRIORITET”, është konsideruar 12-vjeçarja nga ortopedët e QKUK-së një ditë pasi doli në media me ankesën se nuk po ia japin nënshkrimin për trajtim në Turqi.
Një ditë më parë e vlerësuan si rast elektiv që nuk ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Ndërsa sot 12-vjeçarja nga Obiliqi e ka marr nënshkrimin për trajtim jashtë vendit pasi është rivlerësuar si rast “ME PRIORITET” nga mjekët e Ortopedisë në QKUK.
“Rekomandohet për intervenim jashtë QKUK) për zgjatje të shufrës në anën e kockave të lakeses skoliotike, me qëllim të korrigjimit të lakesës gjatë rritjes së fëmijës), sipas indikacionave nga institucioni ku është bërë ndërhyrja në Turqi. ME PRIORITET”- thuhet në letrën e raportit konzilor për trajtim jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, të lëshuar nga mjekët e Klinikës së Ortopedisë së QKUK-së të publikuar nga Gazeta Nacionale.

Raporti është nënshkruar nga tre mjekë, Gani Jashanica – drejtor i Klinikës, dhe dy specialistët Ismet Klinaku dhe Dafina Bytyqi.
Ndërkaq në një raport të publikuar dje nga SHSKUK, tre ortopedë të tjerë Xhavit Gashi, Nexhmedin Duriqi dhe Luan Kuqi, e kishin vlerësuar si rast elektiv në një vizitë të datës 10 nëntor 2022.
“Pacientja është një rast elektiv, i planifikuar për vizita ambulantore dhe nuk ka të bëjë me asnjë urgjencë mjekësore”, thuhej në reagimin e konziliumit të mjekëve të publikuar dje.
Nëna nga Obiliqi Vahide Mehmeti kishte 6 muaj që kërkonte nënshkrimet e mjekëve për trajtimin e vajzës së saj jashtë vendit për shkak të një sëmundje të eshtrave. /Gazeta Shneta/





