Ministria e Shëndetësisë (MSh), përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar më shumë rreth Planit të Veprimit që ka për bazë përcaktimin e kritereve për regjistrimin e banorëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Sipas këtij planit të veprimit, secili qytetar do të ketë mundësinë që të përzgjedh mjekun familjar brenda zonës së banimit dhe sigurimit të qasjes në shërbime shëndetësore në kohën e duhur dhe sipas kërkesës, transmeton Gazeta Shneta.
Dhe përmes përzgjedhjes së mjekut familjar do të krijohet lista e banorëve/pacientëve dhe kjo do të kontribuojë në rritjen e mbulueshmërisë së popullatës me shërbime shëndetësore.
Sipas MSh-së, ky plan veprimi do të ndikojë edhe në promovimin, edukimin dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për shërbimet që ofrohen në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
“Fillimisht, procesi do të pilotohet në katër komuna: Lipjan, Istog, Prizren dhe Prishtinë (QMF-5- Ulpianë dhe QMF-6- Bregu i Dellit), për të vazhduar pastaj shtrirjen në tërë vendin” potencohet më tej në komunikatë.
Komunikata e plotë zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë:
Njoftim për qytetarët e Republikës së Kosovës
Prishtinë, 04. 04. 2023
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Ministria e Shëndetësisë ka miratuar kohë më parë Planin e Veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Qëllimi i këtij plani është që secili qytetar të ketë mundësinë që të përzgjedh mjekun familjar brenda zonës së banimit dhe sigurimit të qasjes në shërbime shëndetësore në kohën e duhur dhe sipas kërkesës.
Përmes përzgjedhjes së mjekut familjar do të krijohet lista e banorëve/pacientëve dhe kjo do të kontribuojë në rritjen e mbulueshmërisë së popullatës me shërbime shëndetësore. Rrjedhimisht, kjo do të ndikojë edhe në promovimin, edukimin dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për shërbimet që ofrohen në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Plani e thekson rëndësinë e përzgjedhjes së mjekut familjar për ruajtjen dhe përcjelljen e shëndetit të qytetarëve në vazhdimësi dhe përfitimet e qytetarëve nga ky proces.
Fillimisht, procesi do të pilotohet në katër komuna: Lipjan, Istog, Prizren dhe Prishtinë (QMF-5- Ulpianë dhe QMF-6- Bregu i Dellit), për të vazhduar pastaj shtrirjen në tërë vendin.
Ministria do të ju mbajë të informuar për hapat e mëtejmë në procesin e përzgjedhjes së mjekut familjar brenda zonës suaj të banimit dhe ecurinë e mëtejme.




