Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është nënshtruar një operacioni në orët e para të mëngjesit në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.
Sipas zyrës së shtypit, pas kryerjes së disa testeve imazhe në QSUT, u pa se kreu i qeverisë shqiptare vuante nga një apendicit akut (zorra qorre) dhe për këtë arsye iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale.
Rama u operua në QSUT, ndërsa ndërhyrja është bërë nga doktori, Arben Gjata.
Njoftimi i plotë:
Natën e mbrëmshme, pas kryerjes së disa testeve imazherike në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, kryeministri Rama u diagnostikua me apendesit akut.
Në bazë të rekomandimit të mjekëve të shërbimit të urgjencës, Kryeministri iu nënshtrua operacionit për heqjen e apendesitit në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Operacioni u krye nga ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë, nën drejtimin e prof. Arben Gjata, shef i shërbimit të kirurgjisë në QSUT.
Ndërhyrja konsiderohet e suksesshme dhe gjendja shëndetësore paraqitet e mirë.




