Mundësia për konflikt interesi për njërin nga anëtarët e propozuar, e ka lënë SHSKUK-në pa Bord Drejtues që gati një muaj.
Ministria e Shëndetësisë ende nuk e ka dërguar për miratim në Qeveri propozimin për anëtarët e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo për faktin se MSh ka kërkuar interpretim nga Agjencioni Kundër Korrupsionit për njërin nga anëtarët e propozuar, nëse emërimi i tij përbën konflikt interesi apo jo.
Gazeta ka mësuar se anëtari i propozuar është Sekretari i MSH-së Naim Bardiqi. Interpretimi është kërkuar për shkak të pozitës së lartë që Bardiqi e mban në MSH.
Kërkesën për interpretim e ka konfirmuar vet ministri Arben Vitia në një prononcim sot për Kosovapress.
““Procesi është para përfundimit një nga anëtarët e bordit të cilin ne e kemi propozuar po presim nga institucionet relevante, konkretisht nga Agjencioni Anti-Korrupsion nëse ka konflikt interesi apo jo dhe sapo të kthehet dhe këtë e kemi dërguar para një kohe dhe sapo të kthehet përgjigjet, menjëherë do të procedohet”, ka thënë ai. Deklaratën e plotë të tij mund ta lexoni në Kosovapress.
Gazeta edhe më parë ka raportuar për emrat e propozuar për Bordin Drejtues të SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/




