Ka dështuar sërish konkursi për drejtor të Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Në një njoftim të Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë të MPB-së të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, bëhet e ditur se konkursi është ndërprerë pas fazës së testimit, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas këtij njoftimi njëri nga dy kandidatët ka refuzuar të marr pjesë në intervistën me gojë, dhe konkursi nuk mund të vazhdojë vetëm me një kandidat.
“…pas mbajtjes së testit me shkrim njëri nga dy kandidatët ka njoftuar Departamentin për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë se nuk mund të merr pjesë në intervistë me gojë për arsye subjektive. Andaj në pajtim me dispozitat ligjore kjo procedurë ndërpritet për arsye se nuk janë të paktën dy kandidatë për të vazhduar tutje në këtë procedurë”, thuhet në këtë njoftim.
Ky vendim për ndërprerje vjen pas një vendimi tjetër më datën 6 qershor me anë të të cilit ishte shtyrë afati për përfundimin e procedurave për 45 ditë.
Kjo është hera e dytë që dështon konkursi për drejtor të këtij institucioni, i cili është kryesori në rregullimin e çështjeve të barnave dhe pajisjeve mjekësore.
Kandidatë për drejtorë kanë qenë zv.drejtori aktual Sejdë Tolaj, Granita Selimaj dhe Ardian Rugova. /Gazeta Shneta/




