Elvir Azizi, drejtori i ri i SHSKUK-së ka prezantuar vizionin e tij para deputetëve të Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës.
Azizi ka thënë se është i fokusuar në punën transparente të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, ngritjen e cilësisë dhe në zbatimin strikt të orarit të punës, shkruan Gazeta Shneta.
Ai ka theksuar mungesën e protokollove klinike, udhërrëfyesve klinik dhe listën e shërbimeve në SHSKUK.
“Do të bëhet prioritet lista e shërbimeve sepse është mungesë e transparencës si për pacientët ashtu edhe për punëtorët shëndetësorë. Kjo po shkakton edhe referime nga spitalet rajonale, secili spital mund të referoj pa pasur asnjë rregull se kur duhet apo nuk duhet të referoj për shkak të mungesës së listës së shërbimeve”, ka deklaruar Azizi.
Ai ka thënë se çështja e furnizimit është problematike dhe synon që ta implementojë sa më parë listën e re esenciale të barnave.
“Furnizimi është problematik shpesh ka ngecje dhe shkakton mungesë të shërbimeve të sigurta. Tashmë e kemi listën e re esenciale të barnave mirëpo ende nuk është arritur ende të pasqyrohet sa i përket furnizimit dhe kjo është një prej misioneve të mija që ta përfshijmë sa më parë këtë listë”, ka thënë ai.
Azizi ka thënë se do të fokusohet poashtu në kontrollin e infeksioneve brenda spitalore dhe zbatimin e orarit strikt të punës.
“Sigurimi i cilësisë është një prej prioriteteve tjera të mija. Siç e thash më herët mungojnë protokollet, udhërrëfyesit, e poashtu edhe procedurat standarde operative. Do të fokusohem në higjienën dhe kontrollit të infeksioneve brendaspitalore dhe do të inicioj auditimet klinike. Zbatimi strikt i orarit të punës, mungesa e stafit në QKUK dhe spitale rajonale, adresimi i ikjes së stafit nga QKUK-ja”, ka thënë Azizi. /Gazeta Shneta/




