I gjithë qyteti i Mitrovicës u trondit nga rasti i rrahjes së të riut mitrovicas nga komuniteti rom, Aliut, i njohur për tërë qytetin si djalosh i mbarë e me sjellje të shkëlqyer.
Në ditën kur u sulmua në qendër të qytetit, Aliu u dërgua për tretman në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nexhat Çuni”, por i vetmi tretman që mori aty ishte fashimi i plagëve.
Emergjenca e QKMF e kishte protokoluar si rast i lëndimit, por nuk i kishte dhënë as raport e as nuk i kishin kryer rentgenin Aliut i cili u dërgua sërish për trajtim pas tri ditësh të sulmit, e ku pas dërgimit në spital nga aktivistët e shoqërisë civile në Mitrovicë dhe pas kryerjes së rentgenit rezultoi se kishte një të thyer dhe një krisje në këmbë, zogun e këmbës të lënduar dukshëm dhe kokën e lënduar.
Megjithatë, kur Aliu shkoi në QKMF, institucioni në fjalë as nuk i dha raport, e as nuk e njoftoi Policinë. Rasti u hap nga familja e Aliut dje, pasi në ditën e sulmit nëna e tij nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore për ta trajtuar rastin. /Mitropol/




