Një mjek nga Turqia pa licencë nga Ministria e Shëndetësisë ka ardhur në Prishtinë për të mbajtur konsulta me pacientë.
Një mjek nga Turqia ka zbarkuar sot në Prishtinë për të takuar pacientë potencial për t’i operuar në një spital në Stamboll. Mjeku erdhi në kryeqytet pa marr fare licencë nga shteti i Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
Mjeku për të cilin bëhet fjalë është Mustafa Atabey. MSH i ka konfirmuar Gazetës se për këtë mjek nuk ka kërkuar askush licencë.
“Sipas informatave nga Divizioni për Licencimin e Profesionistëve Shëndetësorë i MSh-së, deri me tani nuk është pranuar ndonjë kërkesë nga ndonjë institucion shëndetësorë për licencimin e Dr. Mustafa Atabey”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Gazetën Shneta.
Gazeta poashtu e ka njoftuar kryeinspektoren Nora Kursani-Demjaha dhe nga e njëjta ka kërkuar sqarime nëse do të inicioj inspektim për këtë rast, por e njëjta deri më tani nuk ka kthyer përgjigje.
Atabey e ka pasur të aranzhuar sot një takim me qytetarë të interesuar për një lloj të kirurgjisë. Takimi supozohet të ketë nisur në ora 16:00 në një lokal në Prishtinë.
Gazeta ka pyetur kompaninë që e ka sjellë mjekun “Një mjek” nëse Atabey ka licencë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur. Ata vetëm kanë konfirmuar se operacionet mjeku i kryen në një spital në Stamboll të Turqisë.
“Te gjitha nderhyrjet behen vetem ne spitale ne Stamboll”, kanë deklaruar nga kjo kompani.
Kjo nuk është hera e parë që mjekët turq vijnë në Prishtinë për të rekrutuar pacientë nga Kosova për operacione të ndryshme, kryesisht estetike, në spitalet private në Turqi. Edhe para disa muajsh Gazeta Shneta në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor dhe Ministrinë e Shëndetësisë, ndaluan aktivitetin e një mjeku pa licencë.
Institucioni ku ishte organizuar ky takim u dënua me gjobë nga ISH. /Gazeta Shneta/





