Oda e Stomatologëve të Kosovës ka reaguar pas arrestimit të anëtarit të saj në Malishevë Xhavit Karaxha për vdekjen e një pacienteje.
Një paciente vdiq dje në Malishevë pasi kishte shkuar për të hequr një dhëmbë në ordinancën e stomatologut Xhavit Karaxha, shkruan Gazeta Shneta.
Karaxha së bashku me një person tjetër janë arrestuar dje nga Policia e Kosovës, teksa sot Oda e Stomatologëve ka njoftuar se po merret me rastin.
“OSK zotohet se pas daljes së raporteve të inspektoratit shëndetësor në institucionin shëndetësor ku është dhënë shërbimi stomatologjik, do të jetë në krye të detyrave dhe misionit të saj, duke ndërmarrë të gjitha masat ligjore ndaj stomatologut, anëtarit të OSK-së, në raport me të gjeturat e konstatuara të inspektoratit shëndetësor”, thuhet në reagimin e OSK-së.
Reagimi i plotë:
Oda e Stomatologëve të Kosovës me vëmendje është duke përcjellë rastin e ndodhur dje në Malishevë, ku është raportuar për përfshirjen e një stomatologu, anëtar i OSK-së.
Oda e Stomatologëve të Kosovës, shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe gjithë qytetarëve me rastin e ndarjes tragjike nga jeta e pacientës nga Malisheva, për të cilën siç është raportuar nga ana e mediave ka ndërruar jetë pas marrjes së shërbimeve shëndetësore stomatologjike.
OSK zotohet se pas daljes së raporteve të inspektoratit shëndetësor në institucionin shëndetësor ku është dhënë shërbimi stomatologjik, do të jetë në krye të detyrave dhe misionit të saj, duke ndërmarrë të gjitha masat ligjore ndaj stomatologut, anëtarit të OSK-së, në raport me të gjeturat e konstatuara të inspektoratit shëndetësor.




