Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), ka bërë një reagim pas vdekjes së pacientit i cili po merrte trajtim në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK.
Përmes këtij njoftimi, QIPS i ka rikujtuar ShSKUK-së, se duhet të shmangin metodat regresive për trajtimin e pacientëve, duke përfshirë këtu edhe shtrëngimin e pavullnetshëm ashtu siç rekomandohet edhe nga OBSH-ja, përcjell Gazeta Shneta.
“Masa të tilla lejojnë dhe legjitimojnë vdekjet e pacientëve nga moskujdesja përkundër idesë se i “ruajnë nga vetëvetja”. Nuk është vetëm kontrolli i mjaftueshëm që duhet të shtrohet në pyetje, por e gjithë politika e trajtimit të pavullnetshëm të pacientëve në qoftë se dëshirojmë që të sigurojmë se nuk do të ketë më raste të tilla”, ka theksuar ndër të tjera QIPS.
“Shpresojmë se ShSKUK, së bashku me Ministrin Arben Vitia, të ndërmarrin hapat e duhura dhe konform rekomandimeve të OBSH”, ka thënë mes tjerash QIPS.
Komunikata e plotë nga QIPS:
REAGIM MBI VDEKJEN E PACIENTIT NË KLINIKËN E PSIKIATRISË
Në orët e vona të natës jemi informuar nga media mbi vdekjen e një pacienti i cili po merrte trajtim në Klinikën e Psikiatrisë brenda QKUK. Nga informatat e publikuara, pacienti ishte futur në dhomën e izolimit për trajtim të pavullnetshëm, ku është ndezë një zjarr i cili e vrau pacientin dhe shkaktoi lëndime tek persona të tjerë, duke përfshirë staf dhe një paciente tjetër. Në moment po dyshohet se, për shkak të mungesës së kontrollit adekuat, pacienti ka pasur mundësinë që të marr një mjet me të cilin ndezi krevatin dhe rezultoi në fatalitet.
I shprehim ngushëllimet tona për familjen në ballë të kësaj tragjedie dhe urojmë shërim sa më të shpejtë për personat tjerë të ndikuar. Gjithashtu mirëpresim lajmin nga ShSKUK se janë në proces të vlerësimit të situatës dhe të ndëshkimit ndaj personave përgjegjës.
Sidoqoftë, ne rikujtojmë ShSKUK se duhet të shmangin metoda regresive të trajtimit të pacientëve, duke përfshirë këtu shtrëngimin e trajtimit të pavullnetshëm, ashtu siç rekomandohet edhe nga OBSH. Masa të tilla lejojnë dhe legjitimojnë vdekjet e pacientëve nga moskujdesja përkundër idesë se i “ruajnë nga vetëvetja”. Nuk është vetëm kontrolli i mjaftueshëm që duhet të shtrohet në pyetje, por e gjithë politika e trajtimit të pavullnetshëm të pacientëve në qoftë se dëshirojmë që të sigurojmë se nuk do të ketë më raste të tilla.
Shpresojmë se ShSKUK, së bashku me Ministrin Arben Vitia, të ndërmarrin hapat e duhura dhe konform rekomandimeve të OBSH.
Për çdo eventualitet, ne do të vazhdojmë ta përcjellim situatën.




