Policia e Kosovës ka dhënë detaje sot për arrestimin e ortopedit Sami Delijaj në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se Delijajt në momentin e arrestimit i janë konfiskuar një shumë parash, një telefon dhe disa pajisje mjekësore.
“Prishtinë 04.09.2023 – 11:05. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit. Nga i dyshuari në cilësi të provave janë sekuestruar një shume e te hollave, një telefon celular si dhe disa pajisje mjekësore. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
Për arrestimin e Delijajt ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, nga ku kanë thënë se do të ndërmirren të gjitha veprimet ligjore.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, me shqetësim ka pranuar lajmin se një mjek është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale, marrje e ryshfetit. Drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore. Shkelësit e ligjit nuk kanë vend në institucionet publike shëndetësore. Ftojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë raste të parregullsive”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/




