Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK nuk mund t’i shfrytëzojë të gjitha kapacitetet për shkak të mungesës së anesteziologëve. Ndonëse kjo klinikë i ka katër salla, në shumicën e rasteve shfrytëzohet vetëm njëra nga to e maksimalisht edhe e dyta. Drejtori Ardian Shefkiu thotë se ndonjëherë fëmijët ndonëse sëmuren detyrohen të presin për shkak të mungesës së ansteziologëve për të realizuar programin operativ.
Dr. Ardian Shefkiu, kirurg pediatrik, ka diplomuar pranë Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës në vitin 2001. Specializimin e ka filluar në Prishtinë në vitin 2003 dhe e ka përfunduar në vitin 2009. Pastaj, pas kryerjes së specializimit ka vazhduar trajnimet të metutjeshme në lëmin e kirurgjisë laparoskopike në Helbron te Gjermanisë dhe me pas edhe në SLK Oberndorf të Gjermanisë. Po ashtu, ka bërë trajnim të veçantë në Spitalin Universitar të Fëmijëve në Ankara të Turqisë për kirurgji minimale invasive, shkruan Gazeta Shneta.
Ai ka një eksperiencë të gjatë dhe shumëvjeçare si specialist i Kirugjisë së Fëmijëve në institucione shëndetësore publike dhe private. Pjesëmarrës si autor dhe koautor i disa punimeve shkencore të publikuara dhe të prezantuara në konferenca dhe kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare. Po ashtu, ka qenë pjesëmarrës aktiv në organizimin e disa kongreseve, simpoziumeve, konferencave dhe ëorkshopeve në Kosovë, me pjesëmarrje vendore dhe ndërkombëtare.
Sa pacientë janë trajtuar në klinikë brenda këtij viti? A është rritur numri për dallim nga vitet e kaluara?
Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve ofrohen shërbime për pacientët emergjentë dhe ata ambulantorë për moshat nga të posalindurit deri në moshën 16-vjeçare.
Në klinikën tonë shërbime emergjente në nëntëmujorin e vitit 2023 kanë marrë 5028 pacientë, ndërsa vizita ambulantore kanë marrë 3014 pacientë si dhe shërbime diagnostike po ashtu kanë marrë 1277 pacientë.
Ka një rritje prej rreth 25% të numrit të pacientëve nga vitet e klaluara që kanë marrë shërbime në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, – tha ai.
Cilat sëmundje kanë dominuar këtë vit? A është rritur numri i pacientëve me sëmundje malinje që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjike?
Struktura e pacientëve sipas patologjive nuk dallon nga vitet e mëparshme. Në pjesën urgjente dominojnë kryesisht apendicitet akute por vazhdimisht kishim edhe raste të tjera si skrotumi akut, Ileuse, raste neonatale dhe lëndimet e ndryshme. Krahasuar me vitin e kaluar, në këtë vit kemi numër me të madh të apendiciteve të operuara me kirurgji minimale invazive – laparoskopi.
Në pjesën elektive si zakonisht dominojnë pacientët e trajtuar për shkak të hernisë inguinale dhe retencës së testisit, rastet me anomali te ndryshme urologjike dhe patologjitë e traktit digjestiv.
Në lidhje me patologjitë malinje kishim një fluks pak a shumë te njejtë me vitet e kaluara dhe nuk kemi konstatuar ndonjë rritje sinjifikante të numrit të tyre, – tregoi dr. Ardiani.
Sa pacientë janë referuar për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike këtë vit dhe për cilat sëmundje?
Zakonisht nga klinika jonë ka fare pak referime jashtë shtetit. Këtë vit është referuar vetëm një pacient pas traumës së abdomenit me craste është lënduar pankreasi, dhe pas ndërhyrjes së nevojshme në klinikën tonë dhe komplikacioneve të pritshme të cilat janë shfaqur është udhëzuar për trajtim jashtë vendit. Kjo dhe për faktin, sepse edhe rastet më të rënda që kërkojnë ekspertize më të lartë ne i trajtojmë pacientët në Klinikën tonë në kuadër të bashkëpunimit që kemi me ekspertë të huaj, të cilët herë pas here qëndrojnë te ne dhe operojnë bashkë me ne dhe i realizojmë edhe intervenime të cilat janë shumë komplekse. Për këtë qëllim, në këtë javë që kaloi kishim të ftuar për vizitë në vendin tonë kirurgun e njohur të fëmijëve nga Australia Prof. Paddy Dewan, i cili operoi bashkë me ne 19 pacientë me patologji më specifike dhe mjaft komplekse të cilët morën trajtmin më të mirë të mundshëm në vendin tonë pa pasur nevojë për trajtim në ndonjë vend tjetër, – shtoi ai.

A janë shtuar shërbimet në klinikë? Cilat janë ndryshimet e arritura gjatë këtij viti?
Siq e thashë edhe më herët, këtë vit jemi munduar ta shtojmë numrin e operacioneve të realizuara me laparoskopi dhe po mundohemi që laparoskopinë ta bëjmë procedurë rutinore. Në këtë vit jemi pajisur me aparaturë të re laserike për thyerjen e gurëve në traktitn urinar dhe tashmë kemi realizuar intervenimet e para. Jemi pajisur edhe me dy cistokopë të rinj dhe shumë të avancuar për diagnostikim dhe trajtimin e sëmundjeve të traktit urinar te femijët. Kemi rritje të numrit të pacientëve të cilët marrin shërbime në kabinetin e Urodinamikes që është njësi mjaftë e avancuar diagnostike dhe terapeutike pranë klinikës tonë. Po ashtu kemi pasur disa raste të intervenimeve endoskopike gastrointestinale në bashkëpunim me kolegët e klinikës së kirugjisë së përgjithshme dhe të klinikës së pediatrisë siç është vendosja e PEG-ut dhe largimin e disa trupave të huaj.
Muajin që vjen pasi kanë kaluar pothuajse të gjitha procedurat e nevojshme administrative për blerjen e tyre, do të pajisemi edhe me kabinetin e Endoskopisë gastrointestinale ( fibrogastroskop dhe fibrokolonoskop) dhe shumë shpejt do të fillojmë diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve gastrointestinale te pacientët të cilët do të kenë nevojë të marrin këtë shërbim, – tha ai.
Sa është përqindja e vdekshmërisë në klinikë? Cilat janë planet tuaja për ta përmirësuar gjendjen?
Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve ka vite që vdekshmëria është zero. Nuk kemi patur asnjë pacient të vdekur në Klinikën tonë as në këtë vit, – shtoi dr. Ardiani.
Sa është përqindja e infeksioneve brenda spitalore? Cilat janë veprimet për të parandaluar infeksionet?
Parandalimi i infeksioneve është themeli i punës në kirurgji prandaj, të gjitha aktivitetet e punës tonë fillojnë dhe mbarojnë me masat e asepsës dhe antisepsës. I gjithë menaxhmenti i Klinikës por edhe i gjithë stafi i kanë pjesë të përditshmërisë masat për parandalimin e infeksioneve. Duke filluar me bartjen e detyruar të uniformave nga stafi, kufizimin e vizitave të qytetarëve në repartet e Klinikës, higjiena e hapësirave të Klinikës e deri te kujdesi i veçantë për paisjet kirurgjike dhe steriliteti i instrumenteve, të gjitha këto dhe veprime të tjera ndikojnë direkt në parandalimin e infeksioneve.
Cilat janë sfidat dhe sukseset e klinikës?
Çdo ngritje e cilësisë së shërbimeve që ofrojmë, çdo procedurë e re që fillojmë ta aplikojmë, çdo bashkëpunim i sukseshëm që realizojmë me ekspertë të huaj janë suksese të Klinikës tonë. Rritja e numrit të operacioneve të realizuara dhe shkurtimi i kohës së pritjes së pacientëve janë po ashtu të arritura mjaft të vlefshme.
Aktualisht po mundohemi që ta ngrisim dhe zhvillojmë shërbimin e endoskopisë. Natyrisht ky është një proces në zhvillim e sipër që kërkon kohën e vet, – tregoi ai.
Cilat janë mungesat dhe nevojat që duhet t’i plotësojë menaxhmenti i SHSKUK-së për të përmirësuar shërbimet?
Përkundër faktit se ne kemi një trakt operator me katër salla oprative ne arrijmë t’i shfrytëzojmë efektivisht vetëm dy prej tyre. Kjo për shkak të mungesës së anesteziologëve. Ky problem nuk është vetëm i klinikës tonë, por i gjithë QKU-së dhe shpresojmë të zgjidhet gjatë viteve të ardhshme. Cështja tjetër me të cilën ballafaqohen çdo ditë pacientët e klinikës tonë dhe të klinikës së pediatrisë është mungesa e një laboratori të pajisur mirë si dhe funksionalizimi i tij dhe qendrës se radiologjisë edhe gjatë kujdestarisë brenda spitalit të ri të fëmijëve. Kjo do ta bënte punën shumë më të lehtë për stafin, pacientët dhe prindërit e tyre, – bëri të ditur ai.
Për cilat shërbime ka lista të pritjes dhe sa është numri i pacientëve në pritje? Sa kohë është lista e pritjes? Dhe si planifikoni të ulni numrin e pacientëve në pritje?
Në Klinikën tonë kemi një listë unike të pritjes për procedurat kirurgjike jo urgjente dhe më rutinore siç janë hernitë inguinale, retenca e testisit dhe hidrocella. Operacionet më të mëdha urologjike, abdominale, neonatale dhe sidomos ato malinje nuk ka listë të pritjes por ato realizohen me prioritet. Që nga viti i kaluar kemi riorganizuar mënyrën e menaxhimit të listës së pritjes dhe kjo ka dhënë rezultate shumë të mira. Aktualisht pritja e pacientëve është shkurtuar nga një vit e me shume qe ka qenë më parë në më pak se katër muaj. Ta keni parasysh se pritja e pacientëve për operacione elektive ndërlidhet direkt me mundësitë e kufizuara të shfrytëzimit të sallave operatore që e ceka më lart. Ne jemi 14 kirurgë të fëmijëve dhe 5 specilaizantë. Gjatë javës herë i kemi dy salla në dispozicion e herë vetëm një sallë, siç e thashë më heret varësisht nga numri i anesteziologëve që kemi në dispozicion. Kjo i bie që një kirurg gjatë javës mund t’i planifikojë dy ose maksimum tre pacientë dhe asnjëherë nuk mund të realizohet programi në tërësi (fëmijët shpesh sëmuren dhe nuk mund t’i nënshtrohen operacionit të planifikuar),- tregoi ai.
A keni nevojë për më shumë staf infermieror në klinikë?
Së fundmi në klinikën tonë janë pranuar 7 Infermiere dhe 4 instrumentare dhe kjo e ka zbutur dukshëm problemin e mungesës së stafit të mesëm. Sidoqoftë nevojat tona janë shumë më të mëdha, prandaj ne kemi bërë kërkesë për pranime të reja të infermierëve, por mundësitë e SHSKUK-së ishin për pranimin e vetëm një numri të kufizuar të tyre dhe na është premtuar që sërish këtë vit do të ketë konkurs për pranimin e tyre, përfundoi ai.
/Gazeta Shneta/




