Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri, ka ndarë detaje të rëndësishme rreth sfidave dhe nevojave të shëndetit publik në një intervistë të veçantë me Gazetën Shneta.
Sipas Ymeri, furnizimi me barna esenciale për vitin 2023 ka shënuar një rritje në këtë komunë. Megjithatë, ajo ka theksuar se janë hasur sfida me mungesën e shumë prej tyre.
“Me barna esenciale për të gjithë vitin 2023, të shprehura në përqindje, jemi furnizuar me 25.30%. Nga 194 artikujt e porositur periodikisht, kanë munguar shumë artikuj”, tha Ymeri.
Në lidhje me furnizimin me insulina dhe barna antituberkuloze, Ymeri ka shtuar se ky proces është realizuar në nivel të plotë, ndërsa furnizimi me vaksina vazhdon të bëhet nga IKSHPK.
“Furnizimi me insulinë dhe me barna antituberkuloze ka qenë në nivel dhe është realizuar në plotësi, kurse furnizimi me vaksina bëhet nga IKSHPK”, theksoi ajo.
Drejtoresha ka bërë të ditur se furnizimi me material shpenzues ka qenë i mirë, me disa mungea.
“Furnizimi me material shpenzues ka qenë i mirë; ka pasur mungesa të hershme, mirëpo nuk mund të themi se ka qenë dobët”, u shpreh Ymeri.
Drejtoresha Ymeri ka bërë një thirrje për investime serioze në infrastrukturën shëndetësore, duke përfshirë pajisje, aparatura mjekësore, autoambulancë dhe staf shtesë të rregullt.
“Duke marrë parasysh numrin e madh të popullatës në komunën tonë dhe kërkesat e tyre të shumta, dhe nga komunat që na rrethojnë, ne në QKMF-Ferizaj kemi nevojë për investime në infrastrukturë, kryesisht në pajisje, aparaturë mjekësore, autoambulancë, dhe staf shtesë të rregullt”, shtoi ajo.
Drejtoresha ka treguar edhe për nevojën në staf shtesë duke theksuar se një angazhim i përbashkët për shëndetin publik është thelbësor për të përmirësuar kujdesin shëndetësor në rajon.
“Nevojat për staf shtesë janë si vijon: mjekë, stomatologë, infermierë (inf. të përgjithshëm), laborant, teknikë të farmacisë, të fizioterapisë, vozitës, dhe mirëmbajtës.” tha Ymeri në fund./GazetaShneta/




