Administrata e Spitalit të Ferizajt ka ushtruar një ankesë kundër statutit të ri të ShSKUK-së, duke thënë se Neni 9 dhe neni 10 kanë suprimuar autonominë e tyre si njësi përbërëse në funksionet e brendshme administrative
Administrata e Spitalit të Ferizajt kanë ushtruar një ankesë në sindikatë kundër statutit të ri të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, duke pretenduar se po cenohet autonomia e tyre në ushtrimin e funksioneve të brendshme, shkruan Gazeta Shneta.
Ankesa e tyre adresohet konkretisht në Nenin 9, paragrafi 2 dhe Neni 10 paragrafi 4.
“Të cilat nene decidivisht kanë suprimuar autonominë e njësive përbërëse, në këtë rast të spitalit Ferizajt dhe gjithë spitaleve tjera rajonale, konkretisht neni 9 paragrafi 2 potencon se funksionet e brendshme administrative dhe mbështetëse të ShSKUK-ës organizohen dhe kryhen nga administrata qëndrore e vendosur në Prishtinë e cila është përgjegjëse për të gjitha institucionet shëndetësore të nivelit dytësor dhe tretësor të ShSKUK-ës”, thuhet në ankesën e tyre.
Nga kjo administratë thonë se i kundërshtojnë këto nene për shkak se janë në kundërshtim me nenin 26 paragrafi 3 dhe 4 të Ligjit Nr.06/L-113 Për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura.
“Pra, duke marrë parasysh faktin se njësitë përbërëse të SHSKUK të parapara me këtë Statut, shumica dërmuese e tyre kanë më shumë se 300 të punësuar, atëherë, koncentrimi i këtyre shërbimeve administrative në nivel të ShSKUK, përveç se është i padrejtë dhe i paarsyeshëm, si rrjedhoj përbën shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, dhe nga ana tjetër nëse mbetet kështu siç është Statuti i publikuar, do të ketë për pasojë lëvizje të madhe të stafit, cenim të të drejtave të fituara me kontrata pune, dhe po ashtu do të ketë cenim të pavarësisë së njësive përbërëse të cilat secila prej tyre kanë aktin e tyre themelor juridik”, thuhet në ankesë.
Administrata i ka kërkuar sindikatës së Spitalit të Ferizajt që të marr masa ligjore përmes Avokatit të Popullit për ndryshyimin e Nenit 9. /Gazeta Shneta/




