Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK), ka njoftuar rreth forcimit të bashkëpunimit me Doganën e Kosovës për kontrolle dhe rritje të sigurisë së barnave në vend.
OFK ka njoftuar përmes faqes zyrtare se është zyrtarizuar një memorandum bashkëpunimi midis dy palëve për të rritur masat dhe garantuar sigurinë publike rreth barnave, përcjell Gazeta Shneta.
“Memorandumi i Mirëkuptimit synon të nxis shkëmbimin e informacionit, përvojave dhe njohurive, përmes pikës së caktuar të kontaktit. Konfiskimet e bëra nga Dogana e Kosovës nuk synojnë vetëm kontrabandistët, por synojnë edhe parandalimin e shpërndarjes së barnave të pakontrolluara dhe potencialisht të rrezikshme në treg”, ka theksuar mes tjerash OFK-ja.

Komunikata e plotë nga OFK:
Oda e Farmacistëve të Kosovës forcon bashkëpunimin me Doganën e Kosovës për kontroll dhe siguri të përforcuar në tregun e barërave
Prishtinë, 5 Shkurt, 2024 – Dogana e Kosovës ka zyrtarizuar një Memorandum të rëndësishëm të mirëkuptimit me Odën e Farmacistëve të Kosovës. Ky partneritet synon të forcojë bashkëpunimin midis dy institucioneve dhe të forcojë masat për të garantuar sigurinë publike.
Memorandumi i Mirëkuptimit synon të nxis shkëmbimin e informacionit, përvojave dhe njohurive, përmes pikës së caktuar të kontaktit.
Konfiskimet e bëra nga Dogana e Kosovës nuk synojnë vetëm kontrabandistët, por synojnë edhe parandalimin e shpërndarjes së barnave të pakontrolluara dhe potencialisht të rrezikshme në treg.
Duke e njohur rëndësinë e llogaridhënies brenda profesionit farmaceutik, Dogana e Kosovës zotohet të informojë me kohë Odën e Farmacistëve për çdo parregullsi apo rast të kontrabandës që përfshin profesionistë të farmacisë. Kjo qasje bashkëpunuese e fuqizon Odën e Farmacistëve për të ndërmarrë masa disiplinore, duke përfshirë gjobat ose revokimin e licencave, ndaj farmacistëve përgjegjës, duke zbatuar qasje gjithëpërfshirëse për të luftuar kontrabandën me barëra nga shumë kënde ligjore.
Oda e Farmacistëve të Kosovës përmes këtij memorandum zotohet për vënjen në gadishmëri të të gjitha kapaciteteve profesionale në hartimin e ekspertizave në fushën e sektorit të farmacisë për nevojat e Doganës së Kosovës.
Duke nxitur një komunitet bashkëpunues dhe vigjilent, Dogana e Kosovës dhe Oda e Farmacistëve të Kosovës janë të bashkuar në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme që rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë publike në njërën anë dhe padrejtësisht dëmtojnë profesionistët e përgjegjshëm.




