Në një intervistë për Gazetën “Shneta”, Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, Bashkim Nura, ka bërë të ditur shqetësimet dhe sfidat në lidhje me furnizimin me barna nga Lista Esenciale.
Nura shprehet se situata është shqetësuese, me furnizim nga Ministria e Shëndetësisë.
“Sa i përket furnizimit me barna nga Lista Esenciale, nuk jemi të furnizuar plotësisht, dikur 30% jemi të furnizuar.”, tha drejtori.
Problemet e vazhdueshme me furnizim kanë bërë që në shumicën e rasteve pacientët që trajtohen në këtë QKMF të kenë mungesën e disa barnave kryesore, ku ndër mungesat kryesore janë ampullat.
“Mungesa e barnave varion. Këtë vit, ampullat kanë qenë mungesë, siç është rasti me ampulla diclofen i.v., të cilat nuk i kemi marrë asnjëherë, si dhe ampulla Methylprednisolon etj. Infuzione ka pasur herë pas here, por jo gjithmonë. Tableta ka gjithashtu mungesë, dhe ka artikuj që, edhe pse janë në listë, nuk i kemi marrë asnjëherë.” shtoi ai.
Megjithatë, Nura thekson se në disa raste ka pasur sukses në furnizimin e insulinës, pa pasur asnjë mungesë.
“Me insulinë kemi qenë të furnizuar gjithmonë dhe nuk kemi pasur asnjë mungesë.” tha Nura.
Në lidhje me materialet shpenzuese, Nura pohon se ka pasur përmirësime, por ende ka mungesa për artikuj si gazë absorbuese, kanilla, dhe qese urinare.
“Materiali shpenzues ka qenë më mirë sa i përket furnizimit. Ka pasur artikuj që kanë munguar, si shpatullat, të cilat së fundmi i kemi marrë. Megjithatë, kemi mungesë të gazës absorbuese, kanillave, qeseve urinare etj.” u shpreh Bashkim Nura.
Nura, bëri thirrje për furnizime të rregullta nga lista esenciale pasi që kanë pasur probleme herë pas here.
“Ne si QKMF kemi nevojë që furnizimet të jenë të rregullta nga lista esenciale dhe të ketë më shumë barna, si dhe që rrjeti i SISH-it të mirëmbahet mirë nga Ministria e Shëndetësisë, pasi që kemi pasur probleme herë pas here me të.” tha në fund drejtori i QKMF-së në Skenderaj, Bashkim Nura./GazetaShneta/




