Në një njoftim nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare Gjilan (QKMF), bëhet e ditur se, në përputhje me praktikat e rregullta të vaksinimit, fillon vaksinimi kundër Human Papilloma Virusit (HPV) për vajzat në klasat e gjashta në Gjilan, nga data 26.02.2024.
Vaksinimi kundër HPV paraqet një masë parandaluese efikase dhe të sigurtë ndaj sëmundjeve të ndryshme, duke përfshirë kancerin e qafës së mitrës dhe kanceret e tjera të organeve gjenitale. Vaksina HPV, e cila është e sigurt dhe e efektshme, mund të parandalojë më shumë se 95% të kancerit të shkaktuar nga HPV.
Procesi i vaksinimit po realizohet në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe drejtorët e shkollave fillore të komunës së Gjilanit, duke siguruar mbështetjen e plotë për të gjithë nxënëset në qytet dhe fshatra. Ekipet e vaksinimit do të koordinojnë me drejtorët e shkollave për organizimin e vaksinimit në vendbanimet e tyre përkatëse.
QKMF bën apel te prindërit për të pranuar ftesën për vaksinim të fëmijëve të tyre me vaksinën HPV, në qëllim të sigurimit të një mirëqenie shëndetësore për të ardhmen e tyre.




