Me rastin e 8 Marsit- Ditës Ndërkombëtare të Grave, Universiteti i Prishtinës ka nderuar me mirënjohje, profesoreshat e njësive akademike dhe dekanet e përzgjedhura.
Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, ka nderuar me mirënjohje për kontributin meritor dhe zhvillimin e UP-së, profesoreshat e njësive akademike dhe dy dekanet – atë të Fakultetit të Mjekësisë dhe të Fakultetit të Filologjisë, me motivacionin për kontribut meritor dhe shërbim për universitetin.
“Sot do të ndajmë mirënjohje për ju, për kontributin tuaj meritor dhe për shërbimin për universitetin. Megjithatë, ne e kemi zgjedhur këtë datë më tepër për arsye simbolike. Por nuk është që mirënjohjet po i japim për këtë ditë, por për vite e dekada kontribut e shërbim tuajin për këtë institucion, që ne e kemi aq afër zemrës”, citohet të ketë thënë prof. Qerimi.
Sipas njoftimit të dhënë nga faqja zyrtare e UP-së, dekanet e shpërblyera ishin prof. Lindita Sejdiu-Rugova nga Fakulteti i Filologjisë dhe prof. Suzana Manxhuka-Kërliu nga Fakulteti i Mjekësisë.
Një portfolio i paraqitur në webfaqen zyrtare të Fakultetit të Mjekësisë, shkruan se prof. Manxhuka-Kërliu është anatomo-patologe e trajnuar në Zagreb, Kroaci, ndërsa si patologe kirurgjikale në “Memorial Sloan-Kettering Cancer Center”-MSKCC/NY, SHBA dhe “European School of Pathology”-EScoP”, në Torino të Italisë.
Ajo gjithashtu ka marrë pjesë si Erasmus Mundus/Basileus/Profesor vizitor në Universitetin e Romës “La Sapienza” dhe si pjesë e Grupit Compostela të Universiteteve në “Basque Country University” në San Sebastian, Spanjë.
Në Universitetin e Prishtinës, ka punuar si Prorektore në strategjinë, misionin dhe vizionin e ndërkombëtarizimit të Universitetit.
Aktualisht, është Dekane e Fakultetit të Mjekësisë, Profesoreshë e Anatomisë patologjike; zv. Kryetare e Task Forcës Mediterane për Kontroll të Kancerit (MTCC); anëtare e Asamblesë së Përgjithshme të Unionit Internacional kundër Kancerit (UICC) dhe të Shoqatës Evropiane të Patologjisë.
Vlen të theksohet se Fakulteti i Mjekësisë, në muajin shkurt të 2016 ka zgjedhur me shumicë absolute të votave për dekane prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliun. Dhe në vitin 2020, pas një mandatit 4-vjeçar, profesoresha Manxhuka- Kërliu rizgjedhet përsëri me vota unanime për këtë pozitë. /Gazeta Shneta/




