Drejtori i SHSKUK-së ka kërkuar sot nga Bordi Drejtues që të gjendet një zgjidhje për të tejkaluar çështjen e pezullimit të Rregullores së brendshme nga gjykata.
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar ka mbajtur sot mbledhjen e 57-të ku është diskutuar çështja e pezullimit të Rregullores për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo çështje është ngritur nga drejtori ekzekutiv Elvir Azizi, i cili ka kërkuar nga Bordi që të gjendet një zgjidhje për të tejkaluar situatën e pezullimit deri në një vendim përfundimtar nga gjykata.
“Vizioni i këtij menaxhmenti nuk po mund të realizohet, për riorganizimin dhe ristrukturim duke filluar nga administrata dhe për krejt organizatën. Çka mundemi me bo bashkërisht një rregullore të përkohshme sepse kjo mund të zgjasë pafundësisht, prandaj është një situatë që kish me qenë mirë ju si Bord me adresu këtë çështje”, ka thënë Azizi.
Me këtë propozim të Azizit është pajtuar edhe kryesuesi i Bordit Dren Boshnjaku i cili e ka hedhur në votim. Anëtarët e Bordit votuan konkluzën unanimisht që të kërkohet një interpretim nga zyra ligjore se si mund të veprohet tutje.
Në këtë mbledhje është diskutuar edhe një kërkesë e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë që t’ju sigurohen hapësira për ushtrimin e aktivitetit sindikal, si dhe të njëjtit të përfshihen në komisione dhe grupe punuese.
Poashtu është diskutuar edhe draft statuti i QKUK-së me kërkesë të disa përfaqësuesve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kanë ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me shuarjen e disa instituteve brenda QKUK-së. /Gazeta Shneta/




