Një ekip i specializuar nga Urologjia dhe Anestezioni në spitalin “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka realizuar me sukses një operacion të rrallë për heqjen e një tumori prej 20 cm në regjionin retroperitoneal.
Lajmin e ka bërë të ditur urologu i njohur nga Mitrovica, Dr. Fatmir Idrizi, i cili ishte pjesë e ekipit të operacionit, përcjell Gazeta Shneta.
Tumori masiv, i vendosur në një zonë të vështirë për qasje, u hoq përmes një operacioni të hapur, një ndërhyrje komplekse që kërkonte kujdes dhe përkushtim të veçantë nga ekipi.
“Operimi i realizuar me sukses me qasje të hapur nga ekipi i palodhur i Urologjisë dhe Anestezionit. Faleminderit ekipit për kontributin,” tha Dr. Idrizi në një postim.
Ky operacion shënon një arritje të rëndësishme për spitalin “Sami Haxhibeqiri” dhe një hap përpara për sistemin e shëndetësisë në Mitrovicë, duke treguar përkushtimin e mjekëve për të ofruar kujdes shëndetësor të avancuar për pacientët.




