Gazetari Zijadin Gashi, i cili vdiq sot në orët e mëngjesit, pati bërë një thirrje për institucionet për ndryshimin e Ligjit për Trustin Pensional.
Gashi ishte përballur me një sëmundje të rëndë e cila sikurse kishte thënë ai vet, e kishte sjellë para një sfide të madhe financiare. Por këtë kosto do të mund ta mbulonte me trustin pensional, nëse ligji do t’ia mundësonte ta tërhiqte.
Për këtë arsye ai i kishte bërë thirrje Qeverisë dhe deputetëve që të ndryshojnë ligjin për t’ua mundësuar qytetarëve që ta përdorin trustin pensional në raste të ngjashme.
Ky ishte postimi i tij i plotë:
Thirrje publike Kryeministrit, Kabinetit Qeveritar, deputetëve, partive parlamentare në pushtet dhe opozitë: Korrigjojeni ligjin diskriminues të miratuar nga Kuvendi i Republikës
Ligji për Trustin Pensional buron nga ish administrata e UNMIK-ut që nënkuptonte se do të duhej të ishte një ligj kalimtar për tu hartuar dhe fuqizuar në një ligj të përhershëm nga Kuvendi i Republikës. Por, mangësitë e ligjit të UNMIK-ut u barten edhe në ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Këtë thirrje publike e bëj me shkas, nga një rast me të cilin po përballem vet. Paratë e Trustit janë kontribute të qytetarëve por të cilat ata nuk mund t’i shfrytëzojnë edhe në rastin kur përballen me nevojën për jetë a vdekje. Beteja me kancerin më vuri para një sprove të madhe financiare, janë dhjetra mijëra euro të domosdoshme për të përballuar shpenzimet fillestare për të cilat institucionet e shtetit nuk kanë kontribuuar me asnjë cent. Ndërkohë që paratë e mija të kursimeve në Trust mund t’i mbulonin këto shpenzime, mua nuk më është lejuar qasja në mjetet e mia, andaj deputetët duhet të mundësojnë decentralizimin e Trustit nëse jo për tjetër të paktën nga aspekti human. Konsideroj se ligjet e mira duhet të jenë në shërbim të shëndetit dhe jetës së qytetarëve dhe jo pengesë. Kësaj thirrje po ja bashkangjes disa emra me ndikim në jetën publike, moderatorë e emisione televizive që mund të ngrisin debate konstruktive në këtë temë




