Kanceri i gjakut është një sëmundje malinje e sistemit hematologjik, e cila karakterizohet nga shumimi i pakontrolluar i qelizave të gjakut.
Hematologia Dr. Viola Qavolli nga Klinika e Hematologjisë në QKUK shpjegon se këto sëmundje mund të prekin njerëzit e të gjitha grupmoshave, por më të shpeshta janë tek të rriturit mbi 55 vjeç.
“Sëmundjet hematologjike prekin të gjitha grupmoshat, por leukemitë akute limfoide hasen më shpesh tek fëmijët dhe tek të rriturit mbi 65 vjeç. Ndërsa leukemitë akute mieloide mund të prekin si fëmijët, ashtu edhe të rriturit. Leukemitë kronike, nga ana tjetër, janë më të zakonshme tek të rriturit sesa tek fëmijët,” shpjegon Dr. Qavolli.
Sa i përket shkaqeve, ajo thekson se nuk ka një shkaktar të vetëm për zhvillimin e kancerit hematologjik, por disa faktorë rreziku mund të ndikojnë.
“Nuk ka një shkaktar të saktë për kancerin hematologjik, por faktorë të ndryshëm si pesticidet, herbicidet, kimioterapitë e mëparshme, predispozita familjare, si dhe zakone të tilla si duhani dhe alkooli mund të rrisin gjasat për ta zhvilluar atë,” thekson hematologia.
Në lidhje me simptomat dhe parandalimin e kësaj sëmundje ndiqni videon:




