Vetëm gjatë vitit 2024, në repartin e sëmundjeve të varësisë në Klinikën e Psikiatrisë janë hospitalizuar 110 pacientë. Kështu ka bërë të ditur psikiatrja e QKUK-së, Dr. Samire Braina.
Dr. Braina theksoi se ka një rritje të ndjeshme të rasteve në janarin e këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan Gazeta Shneta.
“Vetëm gjatë janarit të këtij viti në repartin tonë janë shtruara 9 pacientë me çrregullime mendore si pasojë e përdorimit të substancave psikoaktive, 3 pacientë me çrregullime nga përdorimi i opioideve, 1 pacientë me çrregullim si pasojë e kanabinoideve, 1 pacientë me çrregullim nga përdorimi i barnave qetësuese, 3 pacientë të shtruar për varësi ndaj alkoolit”.
Dr. Braina u shpreh se një ndër sfidat më të mëdha në trajtimin e pacientëve të varur nga alkooli, droga apo bixhozi është fakti se shumë prej tyre vuajnë nga sëmundje të tjera shoqëruese.
“Sfidë që na përcjell gjatë trajtimit të pacientëve të varur nga alkooli apo dhe lojërat e bixhozit na paraqesin edhe fakti që pacientët abuzues të substancave kanë edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese që e vështirësojnë trajtimin për shkak që pastaj duhet të merremi me sëmundjen tjetër pastaj dhe kur përdorin substanca psikoaktive dhe së bashku me barnat sedative këto e vështirësojnë akoma më shumë trajtimin”, shpjegon Dr. Braina.
Ajo e konsideron shqetësuese faktin që gjithnjë e më shumë pacientë të rinj po paraqiten me probleme të varësisë, ku thekson se kjo është një sfidë jo vetëm për familjet dhe institucionet shëndetësore, por për gjithë shoqërinë.
“Moshat e reja janë të brishta dhe trajtimi i tyre paraqet vështirësi të mëdha. Kjo është një problematikë shumë e ndjeshme dhe kërkon përkushtim maksimal si për familjen si për ne ashtu edhe për gjithe shoqërinë për të ndihmuar këta pacientë,” shtoi Dr. Braina.
Për këto dhe të tjera shihni videon më poshtë




