Afro 74 milionë njerëz kanë nevojë për kujdes paliativ, por ekzistojnë boshllëqe të mëdha në akses, sugjeron një studim i ri.
Kujdesi paliativ, ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve dhe lehtësimin e dhimbjeve nga sëmundjet serioze dhe shpesh të pamundura për t’u kuruar.
Kujdesi paliativ mund të përfshijë gjithçka, nga ushtrimet për frymëmarrje deri te ilaçet për dhimbjen, dhe mund të realizohet në shtëpi, në hospis, ose në spital – idealisht shumë më përpara se dikush të arrijë në pragun e vdekjes, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Megjithatë, një studim i ri ka zbuluar se miliona njerëz nuk kanë akses në kujdesin paliativ, ndërkohë që kërkesa vazhdon të rritet globalisht.
Numri i njerëzve që kanë nevojë për kujdes paliativ ka shënuar një rritje prej 74 për qind gjatë tre dekadave të fundit, duke arritur në 73.5 milionë në vitin 2021, sipas studimit, i cili u botua në “The Lancet Global Health”.
Katër nga pesë persona që kanë nevojë për kujdes paliativ janë në shtete me të ardhura të ulëta, ku nevoja për kujdes paliativ është rritur me 83 për qind që nga viti 1990. Por kërkesa është rritur gjithashtu me 46 për qind në shtetet me të ardhura të larta gjatë kësaj periudhe.
“Shkalla e jetëgjatësisë po rritet, por jetëgjatësia e shëndetshme nuk po e ndjek me të njëjtin ritëm,” tha Dr. Libby Sallnoë, mjeke e kujdesit paliativ që drejton Departamentin e Kërkimeve për Kujdesin Paliativ në Universitetin e Londrës në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkohë që shumë pacientë të kujdesit paliativ kanë kushte terminale, kjo është ndryshe nga kujdesi në fund të jetës ose hospisi.
Që nga vitet 1990, sëmundjet infektive janë zvogëluar – pavarësisht një rritjeje të përkohshme globale gjatë pandemisë së COVID-19 – kryesisht për shkak të uljes së infeksioneve në shtetet me të ardhura të ulëta.
Ndërkohë, nevoja për kujdes paliativ për shkak të kancerit, sëmundjeve të zemrës, demencës dhe kushteve kronike të tjera është rritur në dekadat e fundit, veçanërisht në shtetet me të ardhura të larta, ka gjetur raporti.
Sot, në shtetet me të ardhura të ulëta, shumica e pacientëve që kanë nevojë për kujdes paliativ janë gra nga mosha 20 deri në 49 vjeç. Në shtetet me të ardhura më të larta, kryesisht janë gra nga mosha 70 vjeç e sipër, kryesisht për shkak të demencës.
“Njerëzit po jetojnë më gjatë dhe me më shumë sëmundje dhe vuajtje më serioze të lidhura me shëndetin,” tha Sallnow.
“Ne shohim një nevojë për ta menaxhuar këtë shumë më herët gjatë jetës [dhe jo vetëm] në ditët ose javët e fundit të jetës së dikujt,” shtoi ajo.
Në shkallë globale, fëmijët gjithashtu përbëjnë një pjesë më të vogël të njerëzve që përballen me vuajtje serioze të lidhura me shëndetin. Ky përqindje ka rënë nga 25 për qind në vitin 1990 në 14 për qind në vitin 2021, ka gjetur raporti.
“Kjo është një arritje e vërtetë,” tha Sallnow.
Boshllëqe në akses
Ky nuk është raporti i parë që identifikon një boshllëk të madh në shërbimet e kujdesit paliativ.
Vitin e kaluar, zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Europën, e cila mbulon 53 shtete, ngriti alarmin për rreth 4.4 milionë njerëzit që kanë nevojë për kujdes paliativ në rajon dhe që vdesin çdo vit. Ky numër pritet të rritet në vitet në vazhdim.
Afro katër nga dhjetë pacientë kanë kancer, ndërsa një e treta ka sëmundje të zemrës, 16 për qind kanë demencë dhe 6 për qind kanë sëmundje kronike të mushkërive, thekson organizata.
Shoqata Europiane për Kujdesin Paliativ rekomandon që shtetet të kenë dy shërbime të specializuara paliative për çdo 100,000 banorë. /Gazeta Shneta/




