Neurotraumat që prekin pjesën kraniale dhe atë spinale janë një ndër problematikat më shqetësuese në neurokirurgji.
Sipas Dr. Feti Ahmeti, neurokirug në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK, patologjitë më të shpeshta në këtë klinikë janë traumat e kokës të shoqëruara me hematoma dhe gjakderdhje – që sipas tij mund të jenë epidurale subdurale dhe intraventrikulare, shkruan Gazeta Shneta.
“Në rastet më të lehta që përfshijnë frakturat e kafkës mund të trajtohen pa ndërhyrje kirurgjikale, por në rastet më të rënda këto trauma mund të çojnë deri në paralizë”, tha Dr. Ahmeti.
Ai shpjegon se trajtimi fillimisht është jo-operativ duke përcjell simptomat e pacientit dhe duke i ofruar vetëm terapi, por nëse simptomat janë të rënda atëherë është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.
“Terapia fillimisht është jo-operative atëherë vetëm duhet të përcillet – të jepet terapia për sëmundjen gjegjëse, por nëse ka deficite neurologjike apo ka gjakderdhje, atëherë duhet të intervenohet në kokë apo shtyllën kurrizore”, theksoi ai.
Sipas Dr. Ahmetit, pasojat e neurotraumave mund të jenë të përhershme.
“Zakonisht nëse neurotraumat janë të nivelit të lartë, pasojat mund të mbesin të përjetshme si pareza apo hemipareza. Në fillim këto janë më të rënda por me terapi intensive shkojnë duke u lehtësuar por në disa raste mund të mbesin edhe të përjetshme dhe duhet të merret terapi gjithë jetën”, shtoi tutje ai.
Për këto dhe të tjera, ndiqni intervistën:




