Punimet në renovimin e repartit të pulmologjisë kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Për të vlerësuar ecurinë e punimeve, reparti është vizituar nga Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj, drejtoresha ekzekutive, e shoqëruar nga Dr. Hasan Arzuallxhiu, drejtor mjekësor, Bsc. Rrahim Selmanaj, drejtor i infermierisë dhe Msc.
Sami Ahmetaj, drejtor i administratës dhe shërbimeve të përbashkëta. Gjatë vizitës, ata kanë vlerësuar përparimin e arritur deri tani dhe kanë diskutuar mbi detajet e përfundimit të projektit.
Drejtoresha ekzekutive, gjatë inspektimit, ka theksuar nevojën që punimet të përfundojnë brenda afatit, për të siguruar që pacientët dhe stafi të kthehen në një ambient të sigurt dhe të volitshëm për punë.
Ajo theksoi se është e rëndësishme që çdo fazë e punimeve të realizohet me cilësi të lartë dhe duke përmbushur standardet e nevojshme për ofrimin e shërbimeve mjekësore.
“Si menaxhment, ne jemi të përkushtuar të investojmë në përmirësimin e infrastrukturës, me qëllim përmirësimin e kushteve të punës për stafin dhe krijimin e një ambienti më të mirë për pacientët. Investimet në infrastrukturë janë të rëndësishme dhe kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe kënaqësinë e pacientëve”, tha Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj.
Dr. Sevim Brina, shefe e repartit, ka falënderuar menaxhmentin për investimet në renovimin e pulmologjisë, duke theksuar rëndësinë e këtij renovimi për ofrimin e shërbimeve cilësore për pacientë.
Punimet për renovimin e repartit të pulmologjisë priten të përfundojnë gjatë muajit mars, duke mundësuar që ky repart të ofrojë një ambient më të mirë dhe më të sigurt për pacientët dhe stafin, duke garantuar cilësi më të lartë shërbimesh për pacientët.




