Shkruan Dr. Brunilda Profka – Haxhiu, specialiste e Onkologjisë:
Tashmë është e ditur botërisht që ky medimakent rregullon nivelet e glukozës në gjak dhe çon në humbjen e peshës. Ka dhënë disa prova të mira që tregojnë se mund të ndihmojë në parandalimin dhe trajtimin e disa llojeve të kancerit, si dhe përmirësimin e shëndetit të zemrës dhe kontrollin e varësive.
A mos vallë është ky ‘ilaçi çudibërës’ që bota ka pritur ndër shekuj?
Gjatë gjithë historisë njerëzore, kërkimi i një kure universale ka magjepsur mendjet e filozofëve, shëruesve dhe shkencëtarëve përgjatë kohës dhe kulturave të ndryshme. Në mitologjinë greke, perëndesha Panacea besohej se zotëronte një ilaç për të trajtuar të gjitha mundimet.
Ne ende përdorim termin ‘panacea’ për t’iu referuar një ilaçi të vetëm që mund të zgjidhë të gjitha problemet. Sado tërheqëse mund të tingëllojë kjo, koncepti i një kure universale vjen me një përzierje komplekse sfidash, shpresash, frikë etike dhe filozofike.
Vitet e fundit, një klasë e re ilaçesh ka mbizotëruar titujt kryesorë, duke premtuar rezultate ndjeshëm të përmirësuara shëndetësore në një gamë gjithnjë e më të madhe sëmundjesh, duke përfshirë diabetin e tipit 2, obezitetin, sëmundjet kardiovaskulare, kancerin, depresionin dhe varësitë ndaj drogave.
Medikamente të tilla si: Ozempic (miratuar për menaxhimin e diabetit të tipit 2 të keq kontrolluar) dhe Wegovy (miratuar për disa njerëz me probleme shëndetësore të lidhura me peshën ose obezitetin), të cilat përmbajnë semaglutide si përbërësin e tyre aktiv, janë përkrahur si një piketë e re në mjekësi, me përmasa të ngjashme me antibiotikët dhe vaksinat. Ata kanë ndezur gjithashtu diskutime dhe debate publike, veçanërisht në përdorimin e tyre si ilaçe kundër obezitetit që çojnë në rënien në peshë.
Raportet e efekteve anësore të mundshme mendore dhe fizike, shpesh thjesht anekdotike, janë investiguar vazhdimisht nga agjencitë rregullatore, profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe studiuesit për të garantuar sigurinë e pacientit dhe për të kuptuar më mirë gamën e plotë të efekteve të këtij mjekimi.
Trendi për të hyrë në këtë pilulë ‘magjike’ për humbje peshe ka varfëruar furnizimet në farmaci sipas të dhënave të OBSH-së, duke krijuar sfida për pacientët që këto ilaçe i kanë bazë për trajtimin e diabetit.
Pavarësisht këtyre problematikave, dalja e këtij opsioni të ri, në veçanti për trajtimin e mbipeshës, ka tërhequr interes të konsiderueshëm midis komuniteteve mjekësore të fokusuara në shumë kushte të ndryshme shëndetësore ku mbipesha dhe çështje të tjera metabolike luajnë një rol të rëndësishëm. Këto përfshijnë jo vetëm diabetin, por sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin, për të cilat obeziteti po ia kalon edhe pirjes së duhanit si faktori më i lartë i rrezikut në shumë vende.
Duke trajtuar obezitetin, semaglutidi përmirëson jo vetëm peshën trupore por edhe shëndetin e përgjithshëm metabolik, duke reduktuar rrezikun e këtyre sëmundjeve.
Studimet klinike, sidomos studimi STEP (Semaglutide Treatment Effect in People with Obesity), ka treguar se ky ilaç shkakton humbje peshe të konsiderueshme, shpesh duke tejkaluar 10-15% të peshës së përgjithshme trupore tek pacientët. Në studimin STEP 1, për shembull, pjesëmarrësit e trajtuar me semaglutide 2.4 mg një herë në javë pësuan një humbje mesatare në peshë prej 14.9% gjatë 68 javëve, krahasuar me 2.4% në grupin placebo.
Kjo shkallë e reduktimit të peshës është e pakrahasueshme në trajtimet e tjera farmakologjike për obezitetin, dhe është e krahasueshme me rezultatet e kirurgjisë.
Çfarë mund të ofrojë semaglutide parandalimin dhe trajtimin e kancerit?
Obeziteti apo mbipesha është një faktor rreziku i mirë caktuar për disa lloje kanceri, duke përfshirë kancerin e gjirit, të zorrës së trashë, të pankreasit dhe të mëlçisë. Mbipesha nxit një mjedis pro-inflamator që rrit nivelin e insulinës dhe çon në ç ‘ekuilibrim hormonal. Të gjitha këto mund të kontribuojnë në zhvillimin e kancerit.
Duke pasur parasysh aftësinë e semaglutidit për të shkaktuar humbje të konsiderueshme në peshë dhe për të përmirësuar shëndetin metabolik, studiuesit po hetojnë potencialin e tij për të zvogëluar rrezikun e kancerit. Të dhënat e studimit klinik STEP demonstruan përmirësime në disa parametra metabolikë, duke përfshirë
reduktimin e inflamacionit dhe ndjeshmërinë mëtë mirë të insulinës.
Duke ulur nivelin e insulinës dhe inflamacionin sistemik, semaglutidi mund të ndihmojë në krijimin e një mjedisi më pak të favorshëm për inicimin dhe proliferimin e tumorit.
Agonistët GLP-1 nuk janë trajtime të vetme moderne antidiabetikë të ri të destinuar në onkologji. Po t’i referohemi historisë mjekësore, metformina, një medikament shumë i zakonshëm për diabetin e tipit 2, ishte ilaçi i parë antidiabetik “bona fide” që fitoi vëmendje për vetitë e tij potenciale anti-kanceroze.
Studimet epidemiologjike kanë sugjeruar se pacientët që marrin metforminë kanë një rrezik më të ulët të zhvillimit të kancerit, krahasuar me ata që janë në terapi të ngjashme.
Metformina ul nivelet e faktorit të rritjes së insulinës (IGF) të lidhura me rritjen e qelizave në disa kancere. Ajo është gjithashtu një aktivizues AMPK dhe inhibitor mTOR, ku që të dy mund të luajnë rol kundër kancerit.
Ka studime klinike që janë kryer për të vlerësuar metforminën në trajtimin e kancerit, por rezultatet janë ende të diskutueshme. Hulumtimet kanë treguar se semaglutide dhe agonistët e tjerë të receptorëve GLP-1 shfaqin efekte të drejtpërdrejta anti-tumorale duke penguar përhapjen e qelizave kanceroze dhe duke nxitur apoptozën.
Për shembull, në studimet që përdornin linjat e qelizave të kancerit të pankreasit, liraglutide (një agonist tjetër i receptorit GLP-1 i ngjashëm me semaglutide) u zbulua se frenonte rritjen e qelizave dhe shkaktonte vdekjen e programuar të qelizave duke moduluar shtegun e sinjalizimit PI3K/AKT.
Në mënyrë të ngjashme, vëzhgimet mbi qelizat e kancerit të gjirit në një model paraklinik te minjtë zbuluan se agonistët e receptorëve GLP- 1 reduktuan vazhdimësinë e qelizave tumorale
dhe aftësinë e tyre migruese, nëpërmjet ndikimit të tij në ndërmjetësit e inflamacionit.
Në modelet e kafshëve, trajtimi me semaglutide çoi në një reduktim të ndjeshëm të vaskularizimit të tumorit dhe dendësisë së enëve të gjakut, duke kufizuar potencialisht aftësinë e tumorit për t’u rritur dhe përhapur. Për më tepër, studimet para klinike kanë treguar se semaglutide dhe agonistët e tjerë të receptorëve GLP-1 mund të rrisin imunitetin anti-tumoral.
Hulumtimet në modelet para klinike në minj treguan se trajtimi i semaglutideve rriti infiltrimin dhe aktivizimin e qelizave vrasëse natyrore në indet tumorale.
Eksperimentet in vitro treguan gjithashtu se semaglutidi rriti aktivitetin citotoksik të qelizave vrasëse natyrore kundër qelizave kanceroze, duke sugjeruar një nxitje potenciale për mbrojtjen natyrore të trupit kundër tumoreve.
Duke përmirësuar ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe duke zvogëluar hiperinsulineminë, semaglutidi mund të ulë nivelet e faktorëve të rritjes që nxisin përhapjen e qelizave kanceroze. Ky modulim metabolik mund të krijojë një mjedis më pak të favorshëm për rritjen dhe zhvillimin e tumoreve.
Studiuesit janë veçanërisht të interesuar në eksplorimin e efekteve të semaglutidit në kanceret e lidhura me çrregullimet metabolike, të tilla si sëmundjet alkoolike dhe jo-alkoolike të mëlçisë, dhe steatoza hepatike jo-alkoolike, dhe të dyja këto janë faktorë rreziku për kancerin e mëlçisë. Studimet e hershme sugjerojnë se semaglutidi mund të zvogëlojë dhjamin e mëlçisë dhe inflamacionin përreth, duke ulur kështu rrezikun e zhvillimit të kancerit të mëlçisë në popullatat më të rrezikuara.
Cilat janë dobitë kardiovaskulare të semaglutidit që sjellin avantazhe kundër kancerit?
Semaglutidi ka treguar përfitime të rëndësishme kardiovaskulare, veçanërisht për pacientëtme diabet të tipit 2 me rrezik të lartë ndaj sëmundjeve të zemrës. Studimi SUSTAIN-6 ka treguar prova bindëse të efekteve kardiovaskulare të semaglutideve, duke treguar një reduktim prej 26% të ngjarjeve të mëdha të dëmshme kardiovaskulare gjatë dy viteve krahasuar me placebo.
Përfitimet kardiovaskulare të semaglutideve rrjedhin nga efektet e tyre në inflamacion, metabolizmin e glukozës dhe menaxhimin e peshës. Duke zvogëluar inflamacionin kronik, një nga faktorët kryesorë të aterosklerozës, semaglutidi ndihmon për t’u mbrojtur nga dëmtimet vaskulare.
Aftësia e tij për të përmirësuar kontrollin glicemik zvogëlon më tej rrezikun e dëmtimit të enëve të gjakut të lidhura me hipergliceminë, duke siguruar mbrojtje kardiovaskulare shtesë.
Gjithashtu zvogëlon LDL kolesterolin dhe triglyceridet, gjë që përmirëson profilet e lipideve dhe tensionin e gjakut. Në pacientët me hipertension rezistent, semaglutidi ka treguar aftësinë për të ulur nivelin e tensionit
të gjakut, ndoshta për shkak të efekteve të tij në peshë dhe metabolizmin e glukozës. Kjo është veçanërisht domethënëse, duke pasur parasysh lidhjen e fortë midis hipertensionit, obezitetit dhe
diabetit.
Efekti i semaglutidit në neurone mund të sjellë efekte mbrojtëse nga kanceri. Receptorët GLP-1 nuk shpërndahen vetëm në të gjithë traktin gastrointestinal, por edhe në disa organe dhe inde të tjera në trup, duke përfshirë zonat të trurit.
Këtu përfshihen hipotalamusi, trungu i trurit (brainstem), hipokampusi dhe bulbi olfaktor. Kur receptorët GLP-1 aktivizohen në hypothalamus dhe brainstem, ata mund të ndikojnë në obezitet duke stimuluar neuronet që nxisin ndjenjat e të ngopurit (neuronet POMC dhe CART) dhe duke penguar ato që shkaktojnë urinë
(neuronet NPY dhe AgRP).
Gjithashtu semaglutidi duket se ndihmon në normalizimin e qarqeve nervore të çrregulluara që kontribuojnë në sjelljet adiktive dhe kompulsive, dhe kjo nga ana e saj mund të zvogëlojë faktorët e rëndësishëm të rrezikut për kancerin dhe shumë patologji të tjera.
Pacientët kanë raportuar rënietë interesit në aktivitete si pirja e duhanit, pirja e alkoolit, blerjet e tepruara në ushqime jo të shëndetshme, kafshimi i thonjve dhe ndryshime të lëkurës pas fillimit të trajtimit të semaglutidit. Ai ka treguar gjithashtu të dhëna premtuese për të minimizuar varësinë nga kokaina.
E gjithë kjo tingëllon si shumë e mirë për të qenë e vërtetë, pasi dhe vet studimet e miratuara aktualisht për diabetin e tipit 2 dhe obezitetin janë ende pre eliminare.
Kjo do të thotë se shkencëtarët e orientuar nga onkologjia kanë kohë që janë në kërkim të një medikamenti që mund të trajtojë faktorët e riskut inflamatorë dhe metabolikë duke ditur që janë të rëndësishëm në gjenezën e shumë kancereve.
Por kur të troket një e mirë në derë, me plot gojë e meriton vëmendjen tonë të plotë pasi që në të njëjtën kohë mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit kardiak dhe në të njëjtën kohë të trajtojë sjelljet e varësisë që rrisin rrezikun e kancerit.




