Agjërimi është një praktikë që mund të ndikojë në vlerat e tensionit të gjakut, veçanërisht tek personat që vuajnë nga hipertensioni. Kardiologu i QKUK-së, Dr. Arlind Batalli, tregon se për shumicën e pacientëve me hipertension të kontrolluar, agjërimi është i sigurt, por kërkon kujdes të veçantë dhe monitorim të rregullt të tensionit.
Sipas tij, në disa raste agjërimi mund të çojë dhe në hipotension apo ulje të tenisionit shkruan Gazeta Shneta.
“Agjërimi dhe çdo formë e abstenimit nga ushqimi mund të ndikojë në vlerat e tensionit të gjakut për shkak të reduktimit të marrjes së kripës dhe ushqimit gjatë ditës. Kjo mund të çojë në uljen dhe normalizimin e vlerave të tensionit, por në disa raste mund të kemi edhe efekte anësore. Për shkak të uljes së tensionit mund të shfaqen edhe forma të hipotensionit, prandaj tensioni arterial gjatë agjërimit duhet të monitorohet rregullisht,” shpjegon Dr. Batalli.
Sipas tij, pacientët me hipertension të kontrolluar të cilët arrijnë të mbajnë vlerat e tensionit normale falë marrjes së medikamenteve mund të agjërojnë pa problem.
Sa i përket ushqimit ai thekson se është e rëndësishme të ndiqen disa rekomandime për të shmangur komplikimet shëndetësore.
“Kryesisht, duhet shmangur marrja e kripës, ushqimeve kalorike dhe atyre që përmbajnë yndyrna të ngopura. Gjithashtu, rekomandohet reduktimi i konsumimit të alkoolit dhe pirjes së duhanit, pasi këta faktorë ndikojnë negativisht në shëndetin e pacientëve me hipertension,” thotë ai.
Tutje Dr. Batalli shpjegon se në disa raste, agjërimi mund të përkeqësojë gjendjen e pacientëve, duke shkaktuar simptoma serioze.
“Nëse një person përjeton dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje në gjoks, marramendje, errësim të shikimit, çrregullim të vetëdijes ose ka vlera të tensionit mbi 180 me 100, atëherë duhet të ndërpritet menjëherë agjërimi dhe të kërkohen këshilla nga një kardiolog,” shton tutje Dr. Batalli.
Për këto dhe detaje të tjera ndiqni videon më poshtë:




