SHBA po përballet me një rikthim shqetësues të fruthit, një sëmundje infektive e shmangshme përmes vaksinimit.
Sipas të dhënave më të fundit nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), deri në fund të prillit janë konfirmuar 884 raste, trefishi i rasteve të regjistruara gjatë gjithë vitit 2024.
Epiqendra e shpërthimit është Teksasi, me 646 raste të konfirmuara, shumica në komunitetin menonit të Gaines County, ku niveli i vaksinimit është tepër i ulët. Dy fëmijë të pavaksinuar kanë humbur jetën si pasojë e komplikimeve nga fruthi, ndërkohë që edhe Nju Meksiko ka raportuar një vdekje të një të rrituri të pavaksinuar.
Përveç Teksasit dhe Nju Meksikos, shpërthime të fruthit janë konfirmuar në Indiana, Kansas, Michigan, Montana, Ohio, Oklahoma, Pennsylvania dhe Tennessee. Numri i rasteve vazhdon të rritet, veçanërisht në zonat rurale dhe në komunitete me mbulim të ulët vaksinimi.
Fruthi është një virus jashtëzakonisht ngjitës që përhapet përmes ajrit dhe prek zakonisht fëmijët e pavaksinuar. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës, kollë, hundë që rrjedh dhe sy të skuqur. Në raste të rënda, sëmundja mund të çojë në komplikime si pneumonia, encefaliti (ënjtje e trurit), madje edhe vdekje.
Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se rënia e shkallës së vaksinimit, kryesisht për arsye fetare apo ideologjike, po krijon terren të përshtatshëm për rikthimin e sëmundjeve që dikur ishin nën kontroll.
CDC thekson se vaksina MMR (fruthi, rubeola, parotiti) mbetet mjeti më i sigurt dhe më efektiv për të parandaluar përhapjen e fruthit dhe mbrojtjen e komunitetit./Gazeta Shneta/




