Janë anuluar konkurset për drejtor të QKUK-së, spitalit të Ferizajt dhe spitalit të Mitrovicës.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i ka anuluar tri konkurset për drejtor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Spitalit të Ferizajt dhe Spitalit të Mitrovicës, shkruan Gazeta Shneta.
Lajmi për këtë është bërë i ditur nga Divizioni i Burimeve Njerëzore i SHSKUK-së përmes një dokumenti të publikuar me titull Njoftim.
“Divizioni i Burimeve Njerëzore të SHSKUK-së njofton se për shkak të tejkalimit të afateve ligjore konkursi publik me nr.1077 datë 24.02.2025 për pozitat: Drejtor i QKUK-së, Drejtor i Spitalit të Ferizajt dhe Mitrovicës, ANULOHEN”, thuhet në këtë Njoftim.
Në këtë njoftim nuk është specifikuar se cilat afat ligjore janë tejkaluar.

Ndryshe më datën 11.04.2025 është publikuar njoftimi për kandidatët që i kanë plotësuar kriteret për këtë konkurs. Nga kjo datë SHSKUK ka pasur afat 15 ditë që të formojë komisionin dhe të mbajë testin me shkrim, sipas Rregullores së Qeverisë për konkurset në institucionet shëndetësore.
Për pozitën e drejtorit të QKUK-së në këtë konkurs kanë qenë kandidatët: Enver Gashi, Osman Hajdari dhe Zef Ndrejaj.
Për pozitën e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj: Fikret Arifi, Blerim Gashi, Vllaznim Tahiri dhe Jeton Zeqiri.
Ndërsa për pozitën e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë: Hakif Veliu, Gëzim Berisha, Bashkim Hasani dhe Laura Nushi. /Gazeta Shneta/




