Drejtori i SHSKUK-së Elvir Azizi i ka emëruar tre drejtorë të departamenteve në administratë si dhe një shef i divizionit
Pas miratimit të Rregullores së re nga Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, drejtori Elvir Azizi i ka emëruar tre ushtrues detyre të drejtorëve të departamenteve dhe një shef të divizionit, shkruan Gazeta Shneta.
Ardian Shefkiu është emëruar sërish në pozitën e ud.drejtorit të departamentit të shërbimeve shëndetësore.
Arsim Qorolli është emëruar ud. drejtor në pozitën e departamentit për buxhet dhe financa.
Hasan Ajeti është emëruar ud.drejtor i departamentit për burime njerëzore.
Agron Boshnjaku shef i divizionit për aparatura mjekësore.
SHSKUK nuk i ka konfirmuar emrat, por ka konfirmuar se ka filluar zbatimi i kësaj rregullore.
“Ju konfirmojmë se pas miratimit të Rregullores së re nga ana e Bordit Drejtues, ka filluar zbatimi i saj. Disa persona janë caktuar si u.d. drejtor të Departamenteve, kurse ditët në vijim do të vazhdojë emërimi i personave të tjerë, konform kësaj rregullore, deri në procesin të konkursit të rregullt publik për pozitat e parapara”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Me rregulloren e re të miratuar nga Bordi Drejtues, SHSKUK do të bëhet me një administratë gjigante me 5 departamente dhe 20 divizione.
Bordi Drejtues me kryesues Dren Boshnjaku dhe anëtarët Tetore Olloni, Rrezarta Bajrami-Halili, Ismet Ramadani, Besa Balidemaj dhe Vjollca Kadolli, fillimisht e kanë shfuqizuar rregulloren e cila u miratua vitin e kaluar kur Bordi kryesohej nga Naim Bardiqi.
Ky vendim është marr më 31 janar 2025 me arsyetimin se kjo rregullore është pezulluar nga Gjykata dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar, dhe se institucioni nuk mund të funksionoj pa këtë akt rregullues. /Gazeta Shneta/




