Klinika e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), funksionon tash e katër dekada, ndërsa që nga viti 2003 vepron si një njësi e pavarur pas ndarjes nga Neuropsikiatria. Ajo ofron shërbime për sëmundje të ndryshme neurologjike, ndër të cilat dominojnë ato të enëve të gjakut në tru.
Drejtori i kësaj klinike, Dr. Edmond Komoni, thotë se rreth 50% e pacientëve të hospitalizuar janë të prekur nga gjakderdhjet në tru, shkruan Gazeta Shneta.
“Ndër sëmundjet tjera më të shpeshta janë sëmundjet e enëve të gjakut, epilepsia, Parkinsoni, skleroza multiple dhe demencat. Ndërsa në ambulancë, rastet më të zakonshme janë ato me kokëdhembje” u shpreh Dr. Komoni.
Tutje ai thekson se fluksi i pacientëve mbetet i lartë, ku numri i i hospitalizimeve në vit është mbi 2000 pacientë.
“Vitin e kaluar kemi pasur rreth 1,850 raste të hospitalizuara dhe mbi 12,500 vizita ambulantore, që i bie mesatarisht mbi 200 hospitalizime në muaj dhe rreth 60 pacientë në ditë në ambulancë,” thotë Dr. Komoni.
Edhe pse klinika ka staf të mjaftueshëm dhe ka investuar në pajisje moderne për diagnostikim dhe trajtim, sfida kryesore mbetet infrastruktura.
“E vetmja mangësi që na mbetet është hapësira. Kemi teknologji, kemi ekip, kemi përkushtim – na mungon vetëm ambienti i duhur për të funksionuar në nivelin që kërkohet,” thekson ai.
“Problemi më i madh është mungesa e hapësirës. Në aspektin profesional jemi të përgatitur, por na mungojnë ambientet e duhura për të zhvilluar punën në mënyrë optimale,” përfundon ai.




