Republika Çeke po përjeton një rritje të ndjeshme të rasteve me hepatit A dhe përhapja nuk po ngadalësohet.
Vendi ka regjistruar 450 raste dhe gjashtë viktima nga hepatiti A në katër muajt e parë të vitit 2025, krahasuar me 636 raste dhe dy vdekje gjatë gjithë vitit të kaluar, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Por autoritetet çeke të shëndetësisë thanë se numri real i infektimeve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, për shkak të vështirësive për ta gjurmuar përhapjen e virusit, i cili shkakton inflamacion të mëlçisë dhe në raste të rralla mund të jetë fatal.
“E dimë nga përvoja se edhe një rast i konfirmuar mund të sjellë më pas një problem të madh,” thuhet në një deklaratë nga Instituti Shtetëror i Shëndetësisë (SZÚ).
Nuk është një infeksion i zakonshëm. Në vitin 2022, ishin raportuar 4.548 raste në 30 vende evropiane.
Sa serioz është hepatiti A dhe si përhapet?
Njerëzit mund të infektohen pas kontaktit me jashtëqitjet e një personi të sëmurë – për shembull, përmes duarve të palara, ushqimit ose ujit të kontaminuar, apo dorezave të ndotura të dyerve.
Mjediset me higjienë dhe kushte sanitare të dobëta janë terren ideal për përhapjen e virusit.
Shumica e të infektuarve nuk shfaqin simptoma, por rreth 10 për qind përjetojnë probleme serioze shëndetësore që mund të çojnë në dështim të mëlçisë dhe vdekje, sipas zyrtarëve çekë.
Të rriturit mbi moshën 50 vjeç dhe personat me sëmundje kronike të mëlçisë janë në rrezik më të lartë.
Simptoma të tjera përfshijnë temperaturë, humbje oreksi, diarre, të përziera dhe verdhëz (zverdhje e lëkurës dhe syve).
Çfarë po bën Çekia për ta ndalur përhapjen e hepatitit A?
Zyrtarët e shëndetësisë kanë inkurajuar njerëzit të vaksinohen kundër hepatitit A. Dy doza të marra me një diferencë prej gjashtë deri në 18 muaj mund të ofrojnë mbrojtje ndaj infeksionit.
Vaksina, që kushton rreth 1.700 korona çeke (rreth 68 euro), nuk është e detyrueshme, por përfshihet në disa programe të sigurimeve shëndetësore, sipas autoriteteve.
Pasi shumë nga të infektuarit janë të pastrehë, punonjësit e shëndetësisë në Çeki e kanë shpërndarë vaksinën falas në strehimore. Po ashtu, janë vaksinuar edhe ata që punojnë ngushtë me përdorues të drogës apo me njerëz që jetojnë në rrugë, sidomos në Pragë.
Vitin e kaluar, autoritetet gjurmuan 6.375 kontakte të personave të infektuar me hepatit A.
Personat që identifikohen si kontakte të ngushta dhe që nuk janë vaksinuar ndalohen të shkojnë në pishina publike, sauna, kampe verore apo ngjarje të mëdha. /Gazeta Shneta/




