Prokurori i Shtetit do të kërkojë paraburgim për Burhan Mavriqin, i dyshuar për sulm fizik ndaj gjinekologut Afrim Veliu dhe për vendosjen e një mjeti shpërthyes pranë ordinancës së tij në Ulpianë.
Mavriqi është arrestuar sot në bashkëpunimin e ngushtë mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit, për veprat penale “Kanosja” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se në kuadër të veprimeve hetimore, gjatë bastisjes së realizuar në vendbanimin e të dyshuarit janë sekuestruar një telefon celular, një palë rrobe sportive, si dhe një paisije (çip), të cilat dyshohet se janë përdorur dhe që kanë lidhje me rastin nën hetim.
“Andaj, Prokurori i shtetit, brenda afati ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, po vazhdon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftim.
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.




