Procesi i shpërndarjes së pajisjeve ndihmëse për personat me status paraplegjik dhe tetraplegjik ka nxitur reagime të ashpra nga Shoqata HANDIKOS, e cila ka ngritur shqetësim të thellë për vonesat, duke kërkuar veprime urgjente nga SHSKUK dhe Ministria e Shëndetësisë.
Sipas HANDIKOS-it, edhe pse ky proces është i mbështetur me vendime institucionale dhe me një buxhet prej 6.4 milionë eurosh të ndarë nga Qeveria që në vitin 2022 – shpërndarja e pajisjeve ende nuk ka ndodhur, raporton Gazeta Shneta.
“Ka kaluar gati një vit që nga ardhja e pajisjeve dhe ato ende nuk janë shpërndarë te përfituesit. Një pjesë e tyre kanë afat të kufizuar përdorimi, dhe ekziston rreziku që ato të bëhen të papërdorshme. Kjo situatë përbën humbje të investimit publik dhe rëndon më tej jetën e personave me aftësi të kufizuara,” thuhet në reagimin e HANDIKOS-it, që e konsideron këtë si një nga vendimet më të rëndësishme dhe më të mirëpritura për këtë kategori.
Përgjigjja e SHSKUK-së: Procesi është në përgatitje, aplikimet nisin javën e ardhshme
Në reagimin e saj të lëshuar sot, SHSKUK njofton se ka vepruar në përputhje të plotë me Udhëzimin Administrativ (QRK) nr. 11/2022, që përcakton llojet e pajisjeve ndihmëse për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe se ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për zbatimin e tij.
“SHSKUK ka përfunduar procedurën e kontraktimit dhe ka siguruar pajisjet në bashkëpunim me subjektet profesionale përkatëse. Gjithashtu, është përgatitur zyra për pranimin e aplikacioneve nga qytetarët përfitues, në koordinim me Komisionin Vlerësues të emëruar nga Ministria e Shëndetësisë,” thuhet në sqarim.
Sipas SHSKUK-së, pranimi i aplikacioneve pritet të nisë gjatë javës së ardhshme. Pas vlerësimit të çdo aplikacioni nga Komisioni, çdo person do të pajiset individualisht me pajisjen për të cilën ka aplikuar.
“Procesi do të zhvillohet në përputhje të plotë me kornizën ligjore dhe administrative në fuqi. Të gjithë qytetarët përfitues dhe palët e interesuara do të njoftohen për hapat e mëtejmë,” konfirmon SHSKUK.
Gazeta Shneta ka kërkuar sqarime dhe përgjigje zyrtare edhe nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me vonesat në shpërndarjen e pajisjeve ndihmëse për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë asnjë përgjigje. /Gazeta Shneta/




