Zyrtarët e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar këshillat e tyre për udhëtarët ndërkombëtarë në lidhje me fruthin, duke thënë se njerëzit duhet të vaksinohen kundër virusit pavarësisht se ku po shkojnë.
Banorëve të SHBA-së u rekomandohet të bëjnë vaksinat kundër fruthit, shytave dhe rubeolës gjithsesi. Por Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) më parë theksuan rëndësinë e vaksinimit për udhëtarët që shkojnë në vende me shpërthime.
Javën e kaluar, CDC përditësoi udhëzimet e saj për të kërkuar vaksinimin e udhëtarëve që shkojnë në të gjitha vendet e tjera.
Ashley Darcy-Mahoney, një studiuese në shkollën e infermierisë të Universitetit George Washington në SHBA, e quajti përditësimin të rëndësishëm.
“Një shpërthim në Kolorado muajin e kaluar erdhi si pasojë e një fluturimi ndërkombëtar që u ul në Denver, vuri në dukje ajo. Ndryshimi i njoftimit të udhëtimit të CDC-së pasqyron një njohje se njerëzit nuk po ekspozohen ndaj fruthit vetëm në vendet ku po përhapet, por edhe në aeroplanë dhe gjatë udhëtimit”, shtoi ajo.
“Po shohim një ndryshim nga shpërthimet e lokalizuara në transmetimin gjatë tranzitit”, dhe CDC duket se po i përgjigjet kësaj, tha Darcy-Mahoney.
Në përputhje me rekomandimet në Bashkimin Evropian, njoftimi i udhëtimit i CDC-së këshillon dy doza për të gjithë amerikanët e moshës 1 vjeç e lart, dhe një dozë të hershme për foshnjat që udhëtojnë të moshës 6 muajsh deri në 11 muajsh.
Ndërkohë, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) rekomandon që udhëtarët të sigurohen që janë të vaksinuar plotësisht përpara se të shkojnë jashtë vendit.
Deri më tani këtë vit, SHBA-të kanë parë më shumë se 1,000 raste të fruthit, dhe BE-ja ka raportuar më shumë se 5,500 raste./Gazeta Shneta/




