Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre.
Një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së sotme në fshatin Hajvali– Prishtinë, ku një grua e re, aktualisht shtatzënë, ka kërkuar ndihmë nga autoritetet pas një përplasjeje me bashkëshortin e saj.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se viktima është V.S.Sh. rreth 18-vjeçare, e cila rreth orës 14:00 është paraqitur në Stacionin Policor në Prishtinë, ku ka raportuar se, pas një mosmarrëveshjeje verbale, bashkëshorti i saj A. Xh kishte tentuar ta godasë me grusht në fytyrë. Sipas saj, në momentin kritik kishte ndërhyrë motra e të dyshuarit, A. B, e cila kishte arritur ta ndalojë situatën.
Viktima ka deklaruar se prej asaj kohe është larguar nga banesa dhe po qëndron te familjarët e saj. Ajo ka theksuar se nuk është dhunuar fizikisht, nuk ndihet e rrezikuar dhe nuk kërkon urdhër mbrojtjeje, por ka shtuar se ndien presion psikologjik nga bashkëshorti, i cili sipas saj nuk tregon asnjë interesim për të dhe për fëmijën që pret.
Policia ka bërë përpjekje për të kontaktuar të dyshuarin A.Xh, por ai nuk ka qenë i qasshëm dhe tashmë është në proces të sigurimit të prezencës së tij për intervistim.
Rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Dhuna në familje”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.




